2013-11-21 11:50:39

Drita e fesë


Në kapitullin e tretë të enciklikës Drita e fesë trajtohet me vëmendje të veçantë tema e përçimit të fesë. Kemi parë të enjten e kaluar se feja nuk buron prej vetë njeriut, që bëhet besimtar, por lind në takimin me një “ti” dhe themelon bashkësinë e të gjithë atyre që e pranojnë këtë dhuratë. Dëshmia është mënyra e përçimit të fesë, por cila është forma e përçimit të saj?
Fjala kujtesë është e rëndësishme për të gjetur një pikënisje për shpjegimin e formës së përçimit të fesë. Kisha është si një familje, që ruan brez pas brezi kujtesën e saj. Ruajtja e kujtesës themeltare të Kishës quhet Tradita Apostolike. Pra, ajo që na kanë lënë Apostujt si dëshmi dhe mësime rreth Krishtit, përmbledh gjithçka që na shërben për të jetuar një jetë të shenjtë dhe për të rritur fenë e Popullit të Hyjit.
Përçimi i kësaj tradite ka veçori krejtësisht të vetat, sepse përmbajtja e dëshmisë, pra feja e krishterë, nuk është thjesht një doktrinë. Për të përçuar një doktrinë do të mjaftonte ndoshta një libër ose gojëdhëna, por ajo që përçon Kisha është Tradita e gjallë, “është drita e re që lind nga takimi me Hyjin e gjallë, një dritë që e prek njeriun në qendrën e vet, në zemër, që përfshin mendjen e tij, vullnetin dhe dashurinë, që e hap ndaj marrëdhënieve të gjallërishme, të cilat përbëjnë bashkësinë me Hyjin dhe me të tjerët” (n. 40).
Mjeti i veçantë për të përçuar plotësinë e fesë është Sakramenti. Me anë të Sakramentit përçohet “kujtesa e mishëruar, e lidhur me vendet dhe kohët e jetës dhe ndërvepruese me të gjitha shqisat” (n. 40). Feja e krishterë, thotë enciklika, ka strukturë sakramentale. Ajo përçohet me anë të Pagëzimit. Pagëzimi nuk është thjesht “një mënyrë për të simbolizuar shpalljen e fesë, një akt pedagogjik për dikë që ka nevojë për shëmbëllime dhe gjeste” (n. 41). Pagëzimi është akti që shenjon me të vërtetë ekzistencën e njeriut, sepse, siç thotë shën Pali “me anë të pagëzimit jemi varrosur me Krishtin në vdekje, me qëllim që, sikurse Krishti u ringjall nga të vdekurit me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të mund të ecim në një jetë të re” (Rm 6,4).Të krishterit i dorëzohet, në pagëzim, një formë mësimi, të cilit i pagëzuari i bindet me gjithë zemër. Kjo bindje kërkon përfshirjen e krejt jetës, prandaj sakramenti i rilindjes përmes ujit e zhvendos ekzistencën personale në një rrafsh krejtësisht të ri, në të cilin përmasa e bashkësisë bëhet përmasë strukturore e ekzistencës personale. Sikurse njeriu nuk mund t’i japë fenë vetes, ashtu as nuk mund ta pagëzojë vetveten. Kisha, duke i dhënë pagëzimin, e përfshin njeriun në bashkësinë e shenjtërve.Forma e mësimit, që merr i krishteri në pagëzim, është ajo, në emrin e të cilës pagëzohet: forma e Trinisë. Hyji, që është Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, i jep të pagëzuarit identitetin e birit. Nëpërmjet ujit të pagëzimit, “unë-i” i njeriut i hapet “Unë-it” më të madh të Hyjit.
“Struktura e pagëzimit, ravijëzimi i tij si rilindje, në të cilën marrim një emër të ri e një jetë të re, na ndihmon të kuptojmë domethënien dhe rëndësinë e pagëzimit të fëmijëve. Fëmija nuk është i aftë të kryejë aktin e lirë të pranimit të fesë, ende nuk mund ta shpallë vetë fenë, për këtë arsye, në emër të tij e shpallin prindërit dhe nuni. Feja jetohet brenda bashkësisë së Kishës, është e shartuar brenë “ne-së” së përbashkët. […] Kjo strukturë e pagëzimit vë në dukje rëndësinë e bashkëveprimit ndërmjet Kishës dhe familjes për përçimin e fesë” (n. 43).
Struktura sakramentale e fesë shprehet më së miri me anë të Eukaristisë. Tek Eukaristia kryqëzohen dy boshtet mbi të cilët ecën feja: ai i historisë dhe ai që na çon nga bota e dukshme në botën e padukshme. Eukaristia është vepër e kujtesës. Në kremtimin eukaristik e shkuara, misteri i pashkëve të Krishtit, bëhet e pranishme në të sotmen dhe na hap të ardhmen. Me anë të saj mësojmë të shikojmë përtej realiteteve të dukshme, realitetet e padukshme, ose, më mirë, shndërrimin e gjithësisë që udhëton drejt plotësisë përfundimtare në Hyjin.
Gjatë kremtimit eukaristik Kisha e përçon kujtesën e saj me anë të shpalljes së fesë, që nuk është thjesht pranimi i disa të vërtetave abstrakte: “Mund të themi se, me anë të Besojmës, besimtari ftohet të hyjë në misterin që shpall e të shndërrohet nga ajo që shpall. […] Nuk mund t’i shqiptojë me vërtetësi fjalët e Besojmës, nëse, duke i shqiptuar, nuk shndërrohet prej saj, nëse nuk hyn në historinë e dashurisë, që e përqafon, që e zmadhon qenien e tij, duke e bërë pjesëtar të një bashkësie të madhe, të subjektit të fundit që e shqipton Besojmën dhe që është Kisha” (n. 45).








All the contents on this site are copyrighted ©.