2013-11-19 13:23:26

Të përngjamët e Krishtit: Dashuria për kryqin


Në javën e fundit të vitit të fesë, vijojmë me fragmentin e përditshëm marrë nga libri Te përngjamët e Krishtit. Tema e sotme: kryqi, udha e vetme drejt lavdisë.

Sot Jezusi gjen shumë njerëz të dashuruar me mbretërinë e tij qiellore, po pak njerëz të gatshëm për të mbartur kryqin e tij. Gjen shumë të dëshiruar për ngushëllim, por pak për mundim… Shumë veta e ndjekin Jezusin deri tek shpërndarja e bukëve, pak deri kur pi kelkun e mundimit… Shumë veta e duan Hyjin derisa të mos vijnë vështirësitë… Përkundrazi, ata që e duan Jezusin për hir të Jezusit e jo për ngushëllim vetjak, e bekojnë atë qoftë në vuajtje, qoftë në ngushtica shpirtërore. Ku mund të gjendet dikush që ka dëshirë t’i shërbejë Hyjit pa kërkuar shpërblim?... Pse ke frikë të marrësh kryqin, që është rruga drejt mbretërisë?

Tek kryqi gjendet shpëtimi
jeta
mbrojtja kundër armikut
forca e mendjes
hareja e shpirtit
virtyti e shenjtëria

Merre, pra, kryqin tënd dhe shko pas Jezusit: kështu do të hysh në jetën e pasosur. Të ka paraprirë ai vetë, duke mbartur kryqin e tij, dhe në kryq ka vdekur për ty…
Githçka varet nga kryqi… Udha e vetme që të çon drejt jetës dhe paqes shpirtërore është udha e kryqit dhe e flijimit të përditshëm… Nganjëherë mund të jetë Hyji ai që të braktis, ndonjëherë mund të të vërë në provë të rëndë i afërmi yt; më së shumti do të jesh ti vetë i rëndë për vetën tënde. Hyji do që ti të mësosh t’i pësosh vuajtjet pa u ngushëlluar dhe që t’i nënshtrohesh krejtësisht atij, duke u bërë i përvuajtë me anë të mundimeve…
Kryqi është gjithmonë gati dhe të pret gjithandej. Ngado që të vraposh, nuk mund t’i ikësh. Nëse e mbart kryqin me çiltërsi, atëherë do të të mbartë kryqi ty dhe do të të çojë tek pikësynimi, atje ku çdo mundim do të marrë fund, fundin që nuk mund të vijë mbi tokë. Por, nëse e mbart kryqin me zor, atëherë do të të peshojë fort, do të rëndohesh vetë e, prapë se prapë, duhet ta mbartësh. A mendon, vallë, se mund t’i shpëtosh asaj gjëje, të cilës nuk i ka shpëtuar asnjë vdekatar? Gabohesh, nëse kërkon diçka tjetër… Kjo nuk është e mundur falë forcës apo aftësive njerëzore, por falë hirit të Krishtit, i cili vepron aq shumë në trupin tonë të brishtë, sa e bën të dojë çfarë natyrshëm do të shmangte. Nuk është në përkim me natyrën njerëzore ta mbartësh e ta duash kryqin, të ndëshkosh trupin, t’u ikësh nderimeve, të durosh me hare lëndimet, të përçmosh vetveten… Po t’i matësh forcat, nuk mund të bësh asnjërën nga këto. Por, nëse mbështetesh me besim në Hyjin, forca do të të vijë nga qielli e, nën urdhërin tënd, do të nënshtrohen bota dhe trupi… Nëse dëshiron të jesh mik i Zotit dhe shok i tij, pi, sa të mundesh, nga kelku i tij. Për sa u përket ngushëllimeve, lërja Hyjit. Të bëjë ai si t’i pëlqejë më shumë. Sa mirë do të ishte, sikur të ishe i denjë të vuaje për emrin e Jezusit! Çfarë lavdie të madhe do të përfitoje… Dije mirë se je i detyruar të jetosh një jetë që përfundon; ta dish se sa më shumë të vdesësh ndaj vetvetes, aq më shumë përparon në jetën me Hyjin.

Vep 14,22: Duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në mbretërinë e Hyjit.
Lk 9,23: Nëe ndokush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë.
Lk 24,26: U desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet.
Gj 19,17: Jezusi, duke mbartur ai vetë kryqin e vet, doli në vendin që quhet ’kafka’, hebraisht Golgota…
Gj 12,32: Unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit.
Gj 19, 37: Do ta shohin atë që shporuan.








All the contents on this site are copyrighted ©.