2013-11-18 17:54:31

Në fund të Vitit të Fesë, të dielën, 24 nëntor, Papa do të bëjë publik Këshillimin “Evangelii gaudium”


Dëftim i gjallërisë dhe i dinamizmit të besimtarëve: ky, Viti i Fesë, që do të përfundojë të dielën e ardhshme në Vatikan. Kështu tha kryetari i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e ri, imzot Rino Fizikela, që paraqiti sot paradite, ngjarjet, me të cilat do të mbyllet ky Vit. Kujtojmë se në Shqipëri, Viti i Fesë do të përfundojë më 23 nëntor, një ditë para Vatikanit, ndërsa në Kosovë, ka përfunduar më 5 shtator, në festën liturgjike të së Lumes Nënë Terezë.
Por, e diela e ardhshme në Vatikan, merr edhe më tepër rëndësi, pasi Ati i Shenjtë do të dorëzojë Këshillimin Apostolik “Evangelii gaudium” (Gëzimi i Ungjillit), i cili do të paraqitet zyrtarisht më 26 nëntor. Të dëgjojmë imzot Fizikelën:
“Në programin fillestar, duhej të dorëzohej Letra Enciklike e Papës Benedikti XVI. Pastaj, e dimë se ç’ndodhi në shkurt e në mars dhe e njohim vendimin e Papës Françesku për ta publikuar Enciklikën për fenë ‘Lumen Fidei’ gjatë vitit. Më këtë Këshillim Apostolik mbyllet Viti i Fesë, por impenjimi për ungjillëzimin vazhdon”.
Do ta marrin Këshillimin Apostolik, nga duart e Papës, përfaqësuesit e çdo ngjarjeje, që karakterizoi këtë Vit të Fesë, nga të pesë kontinentet. Të pranishëm, edhe artistë si Etsuro Sotoo, skulptor japonez, që ka bashkëpunuar në ndërtimin e Sagrada Familia në Spanjë, apo piktorja polake Anna Gulak, sepse, siç shpjegoi imzot Fizikela, “bukuria e artit është formë e privilegjuar ungjillëzimi”. Këshillimi Apostolik do t’u jepet edhe gazetarëve, për të vlerësuar impenjimin e tyre në dhënien e një informacioni të drejtë e pa devijime.
Sipas imzot Rino Fizikelës, gjatë këtij viti, mëse 8 milion e gjysëm shtegtarë kanë ardhur tek Varri i Shën Pjetrit, shenjë pozitive shprese, që u shtohet shenjave të tjera, si dëshmia e pakicave të krishtera të persekutuara dhe ora e Adhurimit Eukaristik, gjatë Vitit të Fesë, e përbashkët për të gjithë botën:
“Në atë çast, Krishti ishte vërtet në zemër të botës. Këtë nuk do ta harroj kurrë”.
Por cilat janë veprimtaritë për mbylljen e Vitit të Fesë? Imzot Fizikela sqaroi se ngjarjet kryesore do të jenë tri: më 21 nëntor, “Dita pro orantibus”, me vizitën e Atit të Shenjtë në Kuvendin e Murgeshave Kamaldoleze në Aventin të Romës:
“Papa do të ndalet në lutje me murgeshat, që gjatë këtyre viteve, e kanë hapur kuvendin për të ndarë me të tjerët ‘lectio divina’ dhe sofrën e të varfërve”.
Të shtunën, më 23 nëntor, Dita e katekumenëve, me dëshmi nga vende të ndryshme e me lutje, edhe në shqip. Papa Françesku do të takohet me 500 të rritur, që përgatiten për Pagëzim, ardhur nga 47 vende të botës:
“Nga Rusia, nga Moldavia, nga Bosnjë-Hercegovina, nga Egjipti, nga Maroku, nga Algjeria, nga Kina, nga Mongolia, nga Kuba… do ta ndjejmë, edhe në këtë rrethanë, universalitetin e Kishës”.
E së fundi, të dielën, më 24 nëntor, festa e Krishtit Mbret, Papa do të kremtojë meshën përmbyllëse të Vitit të Fesë, në Sheshin e Shën Pjetrit. Çastet më të rëndësishme të saj do të jenë ekspozimi, për herë të parë, i një urne që mban fragmente nga reliket e Shën Pjetrit Apostull, si edhe dorëzimi i Këshillimit Apostolik “Evangelii gaudium”, siç e thamë. Një çast tjetër i kremtimit do të jetë gjesti i bamirësisë në favor të popullsisë filipinase, të dëmtuar nga tufani Hajan:
“Do të mblidhen fonde, në shenjë pjesëmarrjeje konkrete e solidare me vëllezërit tanë në fe, që ndodhen në gjendje nevoje të skajshme”.
Gazetarëve, që e pyesnin nëse shtimi i rrëfimeve, kohët e fundit, duhet t’i atribuohet Papa Françeskut më shumë se Vitit të Fesë, imzot Fizikela iu përgjigj:
“Shumë njerëz e kanë thënë qartë: ‘U ktheva të rrëfehem, sepse dëgjova fjalët e Papës Françesku’. Zoti mund të përdorë edhe një Vit të Fesë… të gjithë ne jemi vetëm ndërmjetës. Ai që vepron, është Hiri i Tënzot. T’ia heqim parinë Hirit të Tënzot do të thotë se s’kemi kuptuar asgjë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.