Papa në Engjëllin e Tënzot: larg nga “mesitë e rremë”, të lutemi për të krishterët,
që vuajnë nga persekutimet fetare
Të mos lejojmë të na gënjejnë “shpëtimtarët e rremë”, të mos paralizohemi nga frika
e ta jetojmë kohën e pritjes, si kohë dëshmie e durimi, duke menduar për sa e sa
të krishterë, vëllezër e motra, që vijojnë të persekutohen për shkak të fesë. Është
ftesa e Papës Françesku gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në
Sheshin e Shën Pjetrit. Papa i nxiti besimtarët të reflektojnë për të ardhmen, duke
e përballuar me guxim e shpresë. Menjëherë pas lutjes mariane, Ati i Shenjtë kujtoi
“Ditën e viktimave të udhës” e, më pas, një nismë të këndshme për mbrojtjen e shëndetit
të shpirtit.
Papa e mori shtytjen nga fragmenti ungjillor i së dielës, në
të cilin Jezusi, duke iu drejtuar jeruzalemasve, që flisnin për tempullin e për bukurinë
e tij, i fton ta përqendrojnë vëmendjen mbi çështjet themelore, jo mbi ato të dorës
së dytë. Fjalë me vlerë tejet aktuale, vërejti Papa Françesku. Na drejtohen edhe ne,
që jetojmë në shekullin XXI. Me fjalët e Krishtit, Papa i ftoi besimtarët: “Hapini
mirë sytë e mos lejoni t’ju gënjejnë. Sepse të shumtë do të jenë ata, që do të vijnë
në emrin e Zotit!”: “Edhe sot ka mesi të rremë, që përpiqen t’ia zënë vendin
Jezusit: leader të kësaj bote, besimtarë hipokritë, e edhe shtriganë, njerëz, që duan
të bëjnë për vete mendjet e zemrat, posaçërisht të të rinjve. Jezusi na tërheq vëmendjen:
‘Mos shkoni pas tyre!’. E Zoti na ndihmon edhe të mos kemi frikë: përballë luftërave,
revolucioneve, por edhe përballë gjëmave të natyrës, epidemive. Jezusi na çliron nga
fatalizmi e nga vegimet e rreme mbi fundin e botës”. Duke na u drejtuar
si të krishterë e si Kishë, Jezusi, shpjegoi Papa, na paralajmëron se dishepujt e
tij do të vihen në prova të dhimbshme, do të mundohen, do të salvohen për shkak të
besimit në Të. Po Zoti na siguron edhe se besnikët janë e do të jenë gjithnjë në dorë
të Tij e se kundërshtimet, që përballojmë për shkak të fesë sonë e të besnikërisë
sonë ndaj Ungjillit, s’janë tjetër, veçse raste për ta dëshmuar Lajmin e mirë të
Zotit tonë. Nuk duhet, prandaj, të na largojnë nga Zoti, por të na nxisin ta lëshojmë
gjithnjë më shumë veten në dorë të Atit të gjithëpushtetshëm, me besim të patundur
në forcën e Shpirtit Shenjt e të hirit të Tij: “Mendojmë për shumë
vëllezër e motra të krishtera, që persekutohen për shkak të fesë së tyre. Janë shumë.
Ndoshta edhe më shumë se në shekujt e parë. Jezusi është me ta. Edhe ne jemi me ta,
me lutjen tonë e me dashurinë tonë. E admirojmë guximin e tyre e dëshminë e tyre.
Janë vëllezërit e motrat tona që, në të katër anët e botës, vuajnë vetëm e vetëm sepse
janë besnikë të Jezu Krishtit. I përshëndesim nga zemra, me dashuri”. Nga
Zoti vjen premtimi, që është garanci e fitores: duke mos hequr dorë, na thotë, do
ta shpëtoni jetën tuaj. Këto fjalë na kujtojnë shpresën e durimin, na kujtojnë se
duhet të dimë t’i presim frytet e sigurta të shëlbimit, duke besuar, shtoi Ati i Shenjtë,
në kuptimin më të thellë të jetës e të historisë: “Provat e vështirësitë
janë pjesë e një plani më të madh; Zoti, zotërues i historisë, e çon gjithçka drejt
përsosjes. Pavarësisht nga çrregullimet e mënxyrat që trondisin botën, plani i mirësisë
e i mëshirës së Zotit do të përmbushet plotësisht”. Pas lutjes së Engjëllit
të Tënzot, Papa përshëndeti, ndërmjet të tjerëve, bashkësinë e eritreasve në Romë,
që kremtonte festën e Shën Mikelit dhe kujtoi Ditën e viktimave të rrugës”. “Siguroj
lutjen time e inkurajoj të vijohet impenjimi i parandalimit, sepse maturia dhe respektimi
i rregullave, janë hapi e parë për të mbrojtur veten dhe të tjerët”. Më
pas, ftesa për t’i konkretizuar frytet e Vitit të Fesë, që po shkon drejt përfundimit,
me një ‘ilaç shpirtëror’, të quajtuar ‘Misericordina”– “Përdëllesa”: një kutizë ‘ilaçesh’,
që iu shpërnda shtegtarëve: “Është një Rruzare, me të cilën mund të
thuhet edhe Rruzarja e Mëshirës Hyjnore, ndihmë për shpirtin tonë e për të përhapur
kudo dashurinë, faljen e vëllazërimin. Mos harroni ta merrni, sepse ju bën mirë. I
bën mirë zemrës, shpirtit, gjithë jetës”.