2013-11-16 16:59:08

Gjatë Meshës në Shën Martë, Papa kujtoi se lutja e njeriut është ligështia e Zotit


Lutja e njeriut, ligështia e Zotit: këtë pohoi Papa gjatë Meshës, kryesuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Të pranishëm, kanonikët e Kapitullit të Bazilikës së Shën Pjetrit. Ndërmjet bashkëkremtuesve, edhe kryeprifti Anxhelo Komastri.

Në qendër të homelisë, Ungjilli, me ftesën e Jezusit për t’u lutur pa u lodhur kurrë, nësa tregon shembëlltyrën e vejushës, që i kërkon me ngulm gjykatësit të pandershëm t’ia mbrojë të drejtën. Kështu, tha Papa, Zoti ua mbron e do t’ua mbrojë të drejtën të zgjedhurve të vet, që çojnë ditë e natë zërin kah ai, siç ndodhi me Izraelin, kur Moisiu i printe për të dalë nga Egjipti:
“Kur e thërret Moisiun, i thotë: ‘E dëgjova vajin dhe ankimin e popullit tim’. Zoti dëgjon. E në leximin e parë dëgjuam atë, që bëri Zoti, fjalën e gjithëpushtetshme: ‘Nga qielli vjen si luftëtar, që nuk të fal’. Kështu është Zoti, kur merr mbi vete mbrojtjen e popullit të vet. Luftëtar, që s’të fal, që e shpëton popullin. Shpëton, përtërin gjithçka: ‘E gjithë krijesa përtërihet rishtas në natyrën e vet, si më parë’. Deti i Kuq bëhet rrugë pa asnjë pengesë... e ata, që i mbronte dora e tij, kalonin së bashku me gjithë popullin”.
Zoti, vijoi Papa, e dëgjoi lutjen e popullit të vet, ngaqë e ndjeu në zemër se të zgjedhurit e Tij po vuanin e i shpëtoi me mbrojtjen e vet të pathyeshme:
“Kjo është forca e Zotit. Po forca e njerëzve? Cila është forca e njeriut? Është forca e vejushës! Të trokasë në zemrën e Zotit, të trokasë, të ankohet për shumë probleme, shumë dhimbje, e t’i kërkojë Zotit ta çlirojë nga dhimbjet, nga mëkatet, nga problemet. Forca e njeriut është lutja; e edhe lutja e njeriut të përvuajtur është ligështia e Zotit. Vetëm në këtë është i ligshtë Zoti: i ligshtë përballë lutjes së popullit të vet”.
Kulmi i forcës së Zotit, i shpëtimit të Zotit, shpjegoi Papa, është në Mishërimin e Fjalës. Prej këndej, duke iu drejtuar kanonikëve të Shën Pjetrit, kujtoi se puna e tyre është pikërisht ‘të trokasin në portën e Zotit’. Ta lusin Zotin për popullin e Tij. E kanonikët e Shën Pjetrit, në Bazilikën më pranë Papës, ku arrijnë të gjitha lutjet e botës, i mbledhin këto lutje e ia paraqesin Zotit: e ky është shërbimi universal, shërbimi i Kishës:“Ju jeni si vejusha: luteni, kërkoni, trokisni në zemrën e Zotit, ditë për ditë. E nuk dremiste kurrë vejusha, kur lutej. Lutej me guxim e ngulm. E Zoti e dëgjon këtë lutje të popullit të vet. Ju jeni përfaqësues të zgjedhur të lutjes së popullit të Zotit në këtë rol të lutjes drejtuar Hyjit, për nevojat e shumta të Kishës, të njerëzimit, të të gjithëve. Ju falënderoj për këtë punë! Të mos harrojmë kurrë se Zoti ka një forcë të pathyeshme, kur dëshiron ta ndryshojë gjithçka. Gjithçka mori trajtë nga e para, thotë. Ai është i aftë t’i japë trajtë çdo gjëje, nga e para, por e ka edhe një ligështi: lutjen tonë; lutjen tuaj universale pranë Papës, në Shën Pjetër. Ju falënderoj për këtë shërbim e ju ftoj të ecni përpara kështu, për të mirën e Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.