2013-11-15 17:20:49

Irak. imzot Sako: jepen tepër lehtësisht vizat, ndoshta pjesë e një plani për t’i larguar të krishterët nga vendi


Ndërsa Iraku numëron të vdekurit e masakrës së re mbi shiitët, më se 40, vrarë dje në disa atentate, ditën e festës së tyre të Hashures, Kisha në vend është thellësisht e shqetësuar për hemorragjinë e vazhdueshme të të krishterëve. Patriku kaldé, imzot Louis Sako (Lui Sako), e dënon fenomenin e dhënies pa vështirësi të vizave nga ana ambasadave, duke denoncuar se kjo mund të jetë pjesë e një ‘plani’, të hartuar me qëllim që të favorizojë fluksin e familjeve të krishtera jashtë vendi. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Çdo ditë ka familje, që largohen nga vendi, si këtu, në Bagdad, ashtu edhe në veri, në Kurdistan. Fenomen shumë shqetësues, ky. Nuk kuptohet pse: në këtë periudhë nuk ka presione kundër të krishterëve. Është e vërtetë që vijojnë tensionet ndërmjet sunitëve e shiitëve, por përsa u përket të krishterëve, deri tani nuk ka ndodhur asgjë shqetësuese. Po të na ikin gjithë të krishterët, ç’na mbetet? Në se mbeten vetëm pak familje, prania e tyre nuk do të ketë kurrfarë ndikimi e do të jetë tejet e brishtë. Gjatë gjithë historisë sonë kemi pasur probleme, edhe shqetësime, por etërit tanë nuk u larguan kurrë nga vendi. Sepse e ndjenin domosdoshmërinë e dëshmisë së krishterë në këto troje. Si detyrë! Nëse jemi të krishterë, mendonin, duhet të rrimë këtu edhe si misionarë, të pasqyrojmë vlerat e Ungjillit. Ne, ipeshkvijtë, jemi tejet të shqetësuar për këtë fenomen. Ka ambasada që ua japin me lehtësi vizat të krishterëve, e edhe jo të krishterëve. Jemi kundër fenomenit, por jo nëse bëhet fjalë për raste serioze.

Pyetje: - Si e shpjegoni këtë lëshim vizash nga ana e ambasadave, sidomos për të krishterët?

Përgjigje: - Ndoshta fshihet diçka mbrapa, ndonjë plan, sepse as në kohët më të vështira, që kaluam, ambasadat nuk u treguan kaq bujare në dhënien e vizave. Njerëzia kanë shkuar në Siri, në Liban, në Turqi, në Jordani, e ka akoma njerëz, që presin atje.

Pyetje: - Çfarë masash konkrete mendoni të merrni për ta luftuar fenomenin?
Përgjigje: - Ne, gjatë homelive, u japim zemër njerëzve që të mos largohen nga vendi. Bëjmë ç’është e mundur për t’u gjetur strehim e punë. Javën e kaluar paraqita më se 150 emra të rinjsh në qeveri, për punë. Ndihmojmë të varfërit, kur vijnë këtu. Po bëjmë të mundurën e të pamundurën, por mrekulli nuk mund të bëjmë. Edhe në veri shumë familje, që kanë frikë ose kanë shkuar atje, për ta ndjerë veten më të sigurta, janë strehuar të gjitha. Durim! Duhet shumë durim, por edhe besim në ardhmërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.