2013-11-15 13:12:13

Filipine: Vonojnë ndihmat. Ban Ki Moon thotë se gjendja është kritike


Tufani Hajan ka kaluar, por gjendja dramatike vijon në Filipine. Njerëzit e prekur nga dëmet e kësaj fatkeqësie natyrore janë më se 11 milionë dhe numri i të shpërngulurve dhe të pastrehëve është gjithnjë në rritje. Klima mes njerëzve është e ndehur, për shkak të vonimit të ndihmave dhe janë shpeshtuar vjedhjet nëpër shtëpitë e dëmtuara. Sekretari i përgjithshëm i OKB Ban Ki Moon flet për “rrënim të plotë dhe gjendje që s’mban më”.

Të dhënat e kësaj jave, që nga përplasja e parë e tufanit Hajan, janë ndrequr e rindrequr disa herë. Këshilli kombëtar për administrimin dhe kufizimin e rrezikut ka komunikuar sot se 2360 veta kanë vdekur, 3853 janë lënduar dhe 77 kanë humbur. Këto të dhëna bien në kundërshtim me ato të përhapura nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për çështjet humanitare, e cila, duke cituar burimet qeveritare flet për 4460 të vdekur, gati dyfishi i shifrës që ka dhënë departamenti i mbrojtjes civile. Edhe ky vlerësim bie ndesh me atë të qytetit Toklaban, qendra më e goditur, që, në një buletin të ngjitur sot tek tabela e lajmërimeve të bashkisë, flet për 4000 të vdekur vetëm në këtë qytet. Nuk mungojnë kritikat ndaj presidentit Benigno Aquino, qoftë nga brenda qoftë nga jashtë shtetit. Para dy ditësh ai tha se numri i viktimave, të vdekur e të humbur, është 2500 dhe lajmëroi vizitën në ishullin Lejet për nesër.
Mbi gjendjen aktuale në vend Radio Vatikani është lidhur me Matteo Ciarli-n, delegat i Kryqit të Kuq Italian ne Filipine.

Përballë brigjeve të Filipineve ka mbërritur aeroplanmbajtësja amerikane George Washington me 21 helikopterë dhe është nisur avioni i parë me ndihma nga Italia për ishullin Cebu, si është situata në vend?

Situata është rënduar shumë. Zona përbëhet nga shumë ishuj, me rrugë të vështira, me porte dhe aeroporte të papërshtatshëm. Pra, kemi probleme të mëdha logjistike. Sipas llogarive tona numri i viktimave mund të lëvizë nga një minimum prej 1200 vetash në një maksimum prej 2500 vetash. Popullsia e goditur kap shifrën 11 milionë e gjysmë. Njerëzit që kanë mbetur pa shtëpi, që e kanë humbur fare shtëpinë dhe kanë mbetur në rrugë, janë rreth 550 mijë.

Cila është nevoja më urgjente e popullsisë filipinase?

Të mbijetuarit, që nuk kanë shtëpi, kanë nevojë të hanë e të pinë. Ndërhyrja jonë përqendrohet në këtë drejtim: jemi duke instaluar filtra për të bërë të pijshëm rreth 4-5 mijë litra ujë në orë. Shpërndajmë batanija, mjete për riparimin e shtëpive ose çadra për familjet që kanë humbur shtëpitë. Furnizojmë edhe mjete për gatim, për higjienën personale, bidonë për të mbushur ujë, rrjeta kundër mushkonjave dhe dyshekë.

Me siguri do të keni urgjenca shëndetësore…

Sigurisht. Jemi duke ngritur spitale fushimi me mjekë, infermierë dhe ilaçe, që presim të na mbërrijnë. Kështu ndihmojmë Ministrinë e Shëndetësisë së Manilës, që e ka tashmë strukturën e vet, por nuk arrin t’u bëjë ballë të gjitha nevojave.

Sipas lajmeve që kemi marrë, janë shtuar vjedhjet aty ku ka pasur dëmtime. A mund të na e pohoni këtë lajm?

Fatkeqësisht po, sepse flasim për njerëz që kanë gjashtë ditë pa ngrënë e pa pirë. Për këtë arsye bëhen me nerva, kuptojnë se në disa zona ka ushqim dhe nuk e kanë problem të shkojnë e të sulmojnë për të vjedhur. Në disa raste pa shumë dhunë, në raste të tjera janë banda të armatosura, prandaj gjendja bëhet pak më e rrezikshme. Kjo gjë përbën një problem edhe për ne, sepse nuk jemi të mbrojtur nga pikëpamja e sigurisë, prandaj duhet të marrim masa që e bëjnë më të ndërlikuar ndërhyrjen tonë.

Kemi parë se bota po mobilizohet për ta ndihmuar popullsinë e Filipineve. Nismat janë të shumta, por edhe ju keni organizuar mbledhje fondesh…

Po, nëpërmjet faqes së internetit të Kryqit të Kuq Italian, bashkë me OJQ-të e tjera italiane, kemi organizuar një mbledhje fondesh. Në këtë moment gjendemi në terren, me qëllimin për të vlerësuar si mund t’i përdorim në mënyrën më të përshtatshme këto fonde. Është e rëndësishme të kuptojmë edhe cilat janë nevojat më të ngutshme. Kemi dërguar pesë skuadra në pesë zona të ndryshme, për të parë cilat janë nevojat kryesore, për t’i përdorur në mënyrën më korrekte këto fonde.








All the contents on this site are copyrighted ©.