2013-11-14 14:23:07

Sajimi i nji alfabeti të pergjithëshem


...Në mbledhjet e Bashkimit, puna kryekreje kje sajimi i nji alfabeti të përgjithëshem, qi se i cilli shkrimtar të kishte nji pasqyrë per me u unjisue me tjerët.
U muer per parim alfabeti fjesht latin, me germat latine e, tue kenë se gjuha shqype ka disa tingllime të veçanta qi nuk mund shprehen me ato germa, u muer para sysh me dyfishue germat ma të pershtatëshmet qi t’i afroheshin tingllit të nevojitun. U muer per bazë alfabeti i perdorun nga atëdhetari Faik Konitza në të perkohëshmen e vet “Albania” e Brukselit, edhe u bane pak ndryshime, qi u dukne ma të pershatëshme.
Mbasi kje pranue në mbledhjen e pergjithëshme e mbeten të gjith të kënaqun per perfundimin e marrun n’at rasë per punen kryesore, u caktuene disa punime per se cillin prej pjestarve, qi të pregatiteshin per shtyp. Abetari, libri i këndimeve, katekizmi, numertorja, fialori, qi ishin ma të nevojitunit per msojtoret, të gjitha në nji alfabet. Une kishem fletoren me të cillen bashem ma të madhin reklam t’atij alfabeti.
Nder pjestarët dikush ishte ma puntuer dikush ma i plozhët e dikush edhe nuk pat shkrue as fare. Puna ma e madhja e ma e randa kje fjalori. Atê e muer mbi veti Dom Dodë Koleci në bashkim me mue e me Dom Mark Shllakun.
Un me gjith se kishem shkrime tjera neper dorë, ju perkraha shum Dom Dodë Kolecit, por aj bani pjesen ma të madhen e fjalorit. Unë, nji të treten e Dom Mark Shllaku nja kater a pesë germa. Shkrimet tona n’at pikë ishin me i lehtsue Dom Dodës mundin. Ia çueme, prandej, shkresat qi aj i rregulloj per shtyp....

Kryekreje ishte alfabeti latin

Qellimi e programi i Shoqnís “Bashkimi” ishte perhapja e giuhës së shkrueme, të forcueme me botime të shumta. Permirsimet, dlirsimet, perfecionimet e zbukurimet do të vijshin ma vonë, kur njerëz të kulturuem të degës perkatse do të mujshin me pasë landë të mjaftueshme, të lanun prej të parve, per me e shqyrtue, me e rritë e me i dhanë trajtat perkatëse e të pershtatëshme.
....U mblodhne në Shkoder Argjipeshkvi i Prezrendit Pashko Trokshi; Argjipeshkvi i Durrsit, Prend Bianki; Ipeshkvi i Zadrimës, Lazer Mjeda; Ipeshkvi i Pultit, Nikolla Markoni; Argjipeshkvi i Shkoders, Pashko Guerini e, natyrisht, Abati i Mirditës, Prenk Doçi me shoqnín “Bashkimi. Për shka? Me rrahë punen e alfabetit, gadi si të ishte çashtje feje!...
...U kerkuene arsyetime dhe, pikë së pari, Shoqnija Bashkimi spjegoi se alfabeti nuk ishte nji gja lokale e krahinore, ishte nji gja e pergjithëshme e të gjith Shqypnís dhe e të gjith shqyptarve. E dyta, Shoqnia Bashkimi luftonte per alfabetin latin, e fjesht latin, e prandej per kahë ana e sajë nuk interesohej per bashkimin e dy germave në se ishte e pershtatëshme njana a tjetra. Po të pranohej parimi i Shoqnís, për të tjera ishte dakord. Nuk u mbërrijt n’asnji marrëveshje. Ishte gja e parapame...
Me aq Shoqnia Bashkimi vazhdoj nder shkrimet e botimet e veta...
U shtyna tek giatë në diftesen e këtyne ngjarieve prej se kjene sende ku une merrshem pjesë e edhe per pershtypjet qi më patne lanë. Historín e këtyne ndodhjeve e kam pasë shkrue imtish, mbas mbledhjeve t’Ipeshkvive edhe doshem me e botue, por më pat ndalue Emzot Abat Doçi...
.. Shoqnija Bashkimi nuk kishte kurrnji perfitim tjeter veçse perhapjen e botimeve në giuhen shqyp e, prej se ishte shoqni letrare patriotike, në një mbledhje vendoj me pregaditë shkrime të fymëzueme me shpirtin patriotik, tue ndejë në pritje qi të merrte fuqi të pergjithshme njani prej alfabeteve të ndjekun prej shkrimtarëve të asjë kohë.
Ishin alfabeti i vjetër i Shkodrës, Alfabeti i Naim Frashërit, Alfabeti i Stambollës, Alfabeti i Faik Konitzës, Alfabeti i Bashkimit dhe ai i Agimit....

Në mbledhjen e Monastirit nga ana e Bashki, shkoj vetë. Aty u paraqitne alfabetet e ndryshme.
Per parim u muer alfabeti latin; per germat e nevojituna per shprehiet e fjalve shqype u pranue dyfishimi i germave sikur e pat alfabeti i Bashkimit dhe i Faik Konitzës tue ba ndonji ndryshim si në ç dhe në ë.
Me at Kongres Alfabeti shqyp muer njyeren e pergjithsis e pjestarët e shoqnís Bashkimi vazhduene me e perdorë nder botimet e tyne...


Shkëputur nga “Kujtime të një jete së kalueme”, shkruar nga Dom Ndoc Nika, Plejad, Tiranë, 2003, faqe 172-176








All the contents on this site are copyrighted ©.