2013-11-13 17:01:30

Moskë. Kardinali Scola takohet me patrikun Kirill: punë e përbashkët për paqen


“Sot, më shumë se kurrë, Kisha ortodokse e Kisha katolike kanë raste të rëndësishme për të punuar së bashku”. Janë fjalët e patrikut të Moskës dhe të të gjithë Rusive, Kirill, gjatë takimit të djeshëm me kryeipeshkvin e Milanos, kardinalin Angelo Scola. Sipas kreut të Kishës ortodokse ruse, njofton agjencia Interfax, një nga këto detyra të përbashkëta është mbrojtja e Evropës së krishterë dhe e të drejtave të pakicave të krishtera në Lindjen e Mesme e në Siri. Kirilli shprehu admirimin e tij për disa qëndrime të Papës Françesku, duke përfshirë edhe atë ndaj krizës siriane e duke shtuar se ndjek të njëjtën rrugë me Papën. Shpresoj, shtoi patriku rus, se do të mund të vijojmë punën e përbashkët për të siguruar paqen në këto troje.
Nga ana e tij, kardinali Scola shprehu shqetësimin për gjendjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme. Në Perëndim nuk diskutohet sa e si duhet për këtë temë, tha kryeipeshkvi i Milanos, në përfundim të vizitës së tij triditore në Moskë.
Gjatë takimit, patriku rus dënoi persekutimin e të krishterëve, fshehur pas flamurit të tolerancës e të shumëkulturalizmit. Sipas Kirillit, ky persekutim gjen shprehjen e vet në zëvendësimin e simboleve të krishtera, në zbehjen e fjalës Krishtlindje e të vetë Solemnitetit si dhe në ndalimin e mbajtjes së kryqit në qafë në vendet e punës, për të mos i fyer ata, që kanë besime të tjera e, sidomos, që nuk besojnë fare.
Kreu i Kishës ortodokse ruse nënvizoi se mediat, në 90% të shërbimeve të tyre, transmetojnë figurën e një qytetërimi, i cili jeton pa praninë e Zotit e në të cilin realizohet plotësisht vizioni i njerëzve që nuk besojnë, për botën. Në përfundim theksoi: “Po jetojmë në një epokë, në të cilën kundërvëniet historike në marrëdhëniet ndërmjet kishave nuk e kanë më rolin kritik, që kishin në të kaluarën. Sot impenjohemi së bashku për të zgjidhur shumë probleme e kemi shumë qëllime të përbashkëta”.









All the contents on this site are copyrighted ©.