2013-11-13 17:01:17

Katolikë e ortodoksë të bashkuar për të mbrojtur familjen


“Ortodoksë e katolikë së bashku për familjen”. Ky është titulli i një kuvendi të organizuar nga Këshilli Papnor për Familjen në bashkëpunim me Këshillin Papnor për Bashkimin e të Krishterëve dhe me Departamentin për Marrëdhëniet me Jashtë të Patrikanës së Moskës, që u mbajt sot në Romë. Kumtesa e kryetarit të Këshillit Papnor për Familjen Imz. Vincenco Pagla-s dhe ajo e Metropolitit të Volokolamskut Hilarion përbënin thelbin e kësaj konference.

Duhet rizgjuar lidhja ndërmjet Kishës ortodokse dhe Kishës katolike, duke u përqendruar tek familja si bërthama e shoqërisë. Imz. Paglia e thekson fort këtë gjë, pa harruar të nënvizojë se shkaku i krizës së mbarë shoqërisë gjendet kriza e familjes. Realiteti në të cilin jetojmë lartëson vlerën e individualizmit dhe e bën të brishtë dhe lehtësisht të sulmueshme bërthamën familjare, sepse harron parimin mbi të cilin mbështetet familja: “dashuria përgjithmonë”. Për këtë arsye, duhen bashkuar përpjekjet, duke u mbështetur te pikëpamjet e përbashkëta ndërmjet ortodoksëve dhe katolikëve. Ja si u shpreh Imz. Paglia:
Besoj se është vendimtare që kishat e krishtera të gjejnë guximin për t’i dëshmuar botës misterin e dashurisë që, qysh prej krijimit, Hyji e ka vendosur në kulmin e shtatë ditëve dhe, pasi krijoi kryeveprën – njeriun, Adamin – u kujtua se kishte nevojë të plotësohej, prandaj krijoi Evën. Me këtë gjë dua të them se, në një botë si kjo e sotmja, ku madhërohet uni në kurriz të ne-së, familja është lajmi i mirë, që u jep shpresë të gjithëve.
Aktualisht gjendemi përballë një paradoksi: kemi familjen, që nga një anë e idealizojmë e nga ana tjetër është tejet e brishtë. Si duhet vlerësuar ky dyzim, që po theksohet gjithnjë e më shumë?
Problemi është se duhet kuptuar, jetuar e mbi të gjitha duhet dëshmuar se dashuria nuk është një ndjenjë kalimtare. Dashuria është si ndërtimi i një shtëpie dhe, për të ndërtuar një shtëpi, duhet kohë, mund, durim, mençuri, mundësi për të bërë ndreqje, nëse vihen keq tullat. Ja, kjo është dashuria. Dashuria nuk është si era që fryn, siç mendohet shpesh sot. Pra, kur flasim për idealin e familjes, nuk flasim për një gjë abstrakte, as për një ide, por për një realitet. Megjithatë, ajo që duket e vetkuptueshme – si, për shembull, për të mbërritur një pikësynim sportiv, ku të gjithë e dinë se duhet stërvitje, mund dhe flijim – lihet në harresë, kur flitet për ndërtimin e gjësë më të rëndësishme në botë, për pikësynimin, që quhet familje dhe nënkupton edhe procesin e ndërtimit. Ja pse mendoj se, në një shoqëri që e ka kthyer në ligj suprem konsumin dhe nevojën për kënaqësi të menjëhershme me çdo çmim, duhet kuptuar se dashuria është diçka serioze dhe, si çdo gjë serioze, kërkon angazhim e mund.
Papa Françesku ka caktuar një Sinod të jashtëzakonshëm, që i kushtohet pikërisht familjes…
Edhe këtë herë Papa Françesku është para nesh. Papa Françesku e ka kuptuar se, kur flet për familjen, flet për diçka konkrete, sepse shumica e të rinjve e duan, por e shohin si është katandisur e si po dhunohet. Ai, që e ka kuptuar këtë gjë, e ka kuptuar se Kisha duhet ta vërë familjen në qendër të vëmendjes. Uroj që politikanët, ekonomistët, juristët, intelektualët dhe mbarë shoqëria ta kuptojnë këtë gjë. Kthimi i familjes në qendër të vëmendjes është nyja që duhet zgjidhur me shumë ngut. Nëse e lëmë pas dore, rrjedhojat do të jenë dramatike. Nëse kujdesemi për të, ndërtojmë të ardhmen e shoqërisë.

Edhe Hilarioni, nga ana e tij, mori në shqyrtim situatën kritike të familjes, që është themeli i zhvillimit harmonik të jetës dhe të shoqërisë. Ai theksoi se duhet të nisemi nga Shkrimi i Shenjtë, i cili na tregon se jeta nuk kufizohet vetëm tek individi, por është e lidhur me Hyjin dhe me të afërmin. Është e domosdoshme, pra, të rikrijojmë së bashku baraspeshën që ka humbur shoqëria jonë, pa harruar asnjëherë parimin mbi të cilin mbështetet familja. Ja çfarë na tha metropoliti Hilarion
Kemi të njëjtin vështrim për familjen, ne ortodoksët dhe katolikët. Për ne familja është bashkimi i një burri me një grua, me qëllimin për të lindur fëmijë. Ne nuk duam ta diskriminojmë bashkimin, të themi, të njerëzve të të njëjtës gjini, por për ne familja është bashkimi i një burri me një grua.
Por është e qartë se janë shumuar modelet familjare dhe shumë shpesh familjet janë në krizë. Kur një familje është në krizë, është disi në krizë tërë shoqëria…
Bërthama familjare është në themelin e shoqërisë. Familja është baza e formimit të shtetit, gjithashtu. Nëse shkatërrojmë këtë bërthamë, familjen, shkatërrojmë edhe shtetin.
Çfarë mund të bëhet, në këtë moment, për ta ndihmuar familjen, që të rifitojë vlera, sepse po shohim se si gjendemi çdo ditë përballë tejtheksimit të individualizmit, në dëm të familjes?
Tani mund të shohim shkatërrimin e familjes dhe rrjedhojat e këtij procesi, si problemet demografike: për shembull, në Evropë, pas pak kohe, nuk do të kemi më njerëz për të populluar këtë kontinent. E kjo lidhet pikërisht me politikën e gabuar kundrejt familjes tradicionale.








All the contents on this site are copyrighted ©.