2013-11-12 14:30:24

Rifillojnë “Të premtet e Propagandës: tema dhe autorë”. Veprimtari kulturore e shtëpisë botuese të Vatikanit


Rifillojnë “Të premtet e Propagandës: tema dhe autorë”, seria e takimeve kulturore organizuar nga Libreria Editrice Vaticana (Shtëpia Botuese e Vatikanit) pranë pikës së vet të shitjes në Via di Propaganda 4 në Romë, pranë Sheshit të Spanjës. Takimi i parë, i koordinuar si gjithmonë nga Neria de Giovanni, do të zhvillohet të premten më 15 nëntor në orën 17.30 me Aldo Maria Valli-n, vatikanist i Tg1 (edicioni i lajmeve i Rai uno-s) dhe autor i librit “Befasitë e Hyjit. Ditët e revolucionit të Françeskut”, botuar nga shtëpia botuese Ancora.

Aldo Maria Valli rishikon muajt e parë të papnimit të Jorge Mario Bergoglio-s, që nga tymi i bardhë i 13 marsit 2013 deri tek Dita Botërore e Rinisë në Rio de Janeiro. Vartikanisti i Rai uno-s ndjek fillin e ngjarjeve papnore (fjalimet, homelitë, meditimet e mëngjesit, lutjet e Angelus-it dhe audiencat e përgjithshme) dhe i ndërthur me gjestet e mëdha e të vogla të kryera nga Françesku, që, bashkë me fjalët, shenjojnë stilin origjinal të Papës latinoamerikan. “Françesku, - shkruan Valli – është mesazhi. Zgjedhja për të përdorur rroba liturgjike të thjeshta; fakti që predikon çdo mëngjes nga foltorja, si famullitar i thjeshtë, e jo nga katedra; vendimi për t’u kthyer në një ‘hotel’, siç është Shtëpia e Shën Martës, pas zgjedhjes së tij, me autobusin e kardinalëve e jo me veturën që mban targën SCV1; të vetëquajturit ‘Ipeshkvi i Romës’ e jo ‘Papë’; fakti që ka folur ballë për ballë, për disa minuta, me Pietro Orlandin (vëllain e Emanuelës, nënshtetases së Vatikanit, që u zhduk në vitin 1984 e nuk u gjet më) pas meshës në kishën e Shën Anës; fakti që mbante vetë në avionin për Rio de Janeiro çantën e dorës: ja, disa rrethana, me domethënie të ndryshme, por që flasin të njëjtën gjuhë, gjuhën e dëlirësisë, të së vërtetës e të përvujtërisë. Këto janë përbërësit e domosdoshëm – përfundon Valli – për çdo reformë të vërtetë, përtej vendimeve normative”.
“Kemi përshtypjen se në Kishë ka nisur pranvera”, thotë Enzo Bianchi, priori i Bashkësisë së Bose-s, në bashkëbisedimin që shërben si paraqitje e librit. Valli rendit dhe shpjegon shtatë fjalët që, sipas tij bëjnë të mundur deshifrimin e papnimit të Françeskut: mëshira, butësia, mirësia, shpresa, kujdestaria, periferia, shërbimi. Në sfond qëndron pyetja e shtruar nga Papa Françesku: “A jemi të hapur ndaj befasive të Hyjit? Apo mbyllemi, me frikë, ndaj risisë së Shpirtit të Shenjtë?”








All the contents on this site are copyrighted ©.