2013-11-11 14:19:51

Ndërroi jetë kardinali Bartoluçi, 96 vjeç. Papa: me muzikën e tij i lartoi zemrat drejt Zotit


“Meshtar i dashur e i vlerësuar, kompozitor e muzikant i shquar”: me këto fjalë, Papa Françesku e kujton në një telegram ngushëllimi kardinalin Domeniko Bartoluci, i cili ndërroi jetë sot në Romë, në moshën 96 vjeçare. Duke përmendur detyrën e dirigjentit të Kapelës Muzikore Papnore Sikstine, të cilën e kreu nga viti 1956 deri në vitin 1997, Ati i Shenjtë nënvizon se ai diti të vlerësojë me mençuri thesarin e çmuar të polifonisë, me synim lartimin e zemrave kah Zoti. Funerali i prelatit do të kremtohet të mërkurën, në orën 15.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Meshën do ta kryesojë kardinali Anxhelo Sodano, ndërsa në fund të saj, Papa Françesku do të kryesojë ritin e “Ultima Commendatio” (Lëshimi në dorë të Zotit) dhe të “Valedictio” (Lamtumira e fundit). Po kush ishte kardinali Bartoluçi? Të kthehemi pas në kohë…RealAudioMP3
“Falemi Mari” marrë nga opera lirike “Brunelesku”, notat e poemës kishtare “Baptisma” e së fundi, kompozimi i mbramë, “Christus circumdedit me”, udhëtim shpirtëror në kërkim të përqafimit me Hyjin. Ishte 31 maj 2011, kur në Sallën Pali VI, orkestra e kori ekzekutonin krijimet muzikore të kardinalit Bartoluçi. Spektatori më i nderuar ishte edhe kompetent në fushën e muzikës: qe Papa Benedikti XVI, i cili e pati krijuar kardinal, një vit më parë e që, në fund të koncertit, i drejtohej me këto fjalë:
“I dashur kardinal Bartoluçi, feja dhe drita, që ka orientuar e udhëhequr gjithnjë jetën tuaj, që jua ka hapur zemrën për t’iu përgjigjur me bujari thirrjes së Zotit, është edhe burimi i mënyrës suaj të kompozimit…”.
Për kardinalin Bartoluçi, ndërthurja e artit me fenë, e krijimtarisë muzikore me shërbimin meshtarak, karakterizon një kohë jashtëzakonisht të gjatë të jetës së tij. Kur Papa Piu XII i besoi përgjegjësinë e Kapelës Muzikore Sikstine, ishte viti 1956. Vinte pas një dirigjenti me emër vërtet të madh, por u tregua në lartësinë e detyrës, siç shpjegon mjeshtri aktual, imzot Masimo Palombela:
“Trashëgoi nga Lorenco Perozi një gjendje, që kishte nevojë për reforma. E ai e bëri shumë mirë këtë punë, pasi themeloi në selinë e Sikstinës, një shkollë, që kishte për detyrë të formonte fëmijët: një klasë e pestë fillore dhe tre klasë tetëvjeçareje. Pastaj, rithemeloi krejtësisht strukturën e këngëtarëve të rritur, duke formuar kështu një organikë prej 20 këngëtarësh të rritur e rreth 25-30 fëmijë. Kjo qe meritë e madhe e tij”.
Më vonë, erdhi Koncili II i Vatikanit e kardinalit iu kërkua të shkruante diçka për ndërthurjen e traditës së vjetër me atë të re, në kremtimin e Meshës. Doli një tekst me bukuri të rrallë, titulluar “Mesha e alternuar me këngën gregoriane”, ku ndërthuren më së miri kremtimi sipas Koncilit me përgjigjen sipas traditës më të lashtë të Kishës. Me kardinal Bartoluçin, fillon transmetimi në mondovizion e udhëtimet jashtë Vatikanit të Kapelës Muzikore Sikstine, si në Japoni e Gjermani. “T’u japësh të gjithëve mundësi të takohen me Hyjin”: ky është impenjimi i kardinalit muzikant, të cilin ai vetë e pati pohuar disa vjet më parë, para mikrofonit të Radio Vatikanit:
“Për mua, është gëzim i madh kur shoh se ka interesim të jashtëzakonshëm: ka njerëz, të cilëve u pëlqen muzika kishtare, kjo muzikë vërtet madhështore. Kush kompozon muzikë kishtare të kujton vazhdimisht Jezu Krishtin, që kremton Meshë në Çenakull”.








All the contents on this site are copyrighted ©.