Si zor të ketë menduar profesor Çabej, qoftë edhe në ndonjë befje mendimi, se "Meshari"
i tij do të vinte ndonjëherë nga e bija, që menaxhon botimet "Çabej". Por, ja që realiteti
shpesh është shumë më i koklavitur se ëndrra dhe Brikena Çabej pas një pune titanike
e risolli "Mesharin" e përgatitur nga i ati i saj, i ndjeri Eqerem Çabej. Në botimin
e ri përfshihen faksimile të tekstit origjinal të vitit 1555, transliterimi dhe transkribimi
i tij, si dhe një hyrje e vetë Profesor Çabejt për Buzukun, i cili përbën një studim
të hollësishëm dhe të thelluar të librit më të parë në shqip njohur deri më sot.
Për
ata që s’e kujtojnë, "Meshari", është një librat më fatkeq në Shqipëri. Ai u botua
më 1968, pak muaj pasi Shqipëria e kishte kryer deri në fund luftën e saj me fenë.
Mesharit të prof. Çabejt, iu desh, për fatin e keq të shtypej për plot 10 vjet në
Rumani, pas një pune që profesori e kishte mbaruar afër fundit të viteve '50. Vrulli
i histerisë fetare përfshiu dhe librin e meqë "ky më i pari libër shqip" ishte një
meshar, pra libër mirëfilli fetar, nuk u lejua të dilte në qarkullim në libraritë
e vendit. Ai do të strehohej në bodrumet-magazina të Institutit të Gjuhësisë, kurse
vetëm ndonjëherë apo tek-tuk dhurohej me ndonjë rast special. Duhet të ketë qenë një
nga shqetësimet më të mëdha të profesorit sepse nuk mundi ta shihte sa ishte gjallë
të ishte i lirë në shitje. Një brengë që e ka shtypur pak nga pak, siç kujtojnë shumë
prej njerëzve që e kanë njohur. Anipse, nuk ishte e thënë që kalvari do të mbyllej
këtu me vetëm strehimin në bodrum. Për katër dekada, pjesa më e madhe e 4000 kopjeve
të tirazhit, u kalbën dalëngadalë, kurse ato kopjet e mbetura që i patën shpëtuar
disi kalbjes, pas vitit 1992 përfunduan trotuareve, njësoj me lloj-lloj librash që
u botuan gjatë viteve të regjimit. Edhe nëse do të bëhej sot një investigim i gjatë
sesi dolën nga magazinat e Institucioneve shtetërore për t'i shitur Mesharët trotuareve
të Republikës, kjo me sa duket s'do përballohet dot si ndërmarrje në një vend si Shqipëria
ku mungojnë dokumentet. Duhet të ketë qenë si një detyrim, apo si një nevojë për
plotësimin e amanetit të pashprehur të Çabejt, e gjithë kjo ndërmarrje e botueses.
Dihet se ky libër është një prej punëve më të rëndësishme të tij, vepër që shërben
edhe sot e gjithë ditën si model për studiuesit e fushës. Të mendosh punën për të,
atëherë e kupton marrëzinë e madhe që i përcjell ngado shqiptarët: Buzuku i kushtoi
Çabejt thuajse 10 vjet punë ndërsa libri s'u shpërnda asnjëherë. Jo më kot, e përsërisim,
mosqarkullimi i botimit duhet të ketë qenë një peng i tij deri në fund të jetës.
Nga
përmasat, dukja dhe puna e kryer është një nga botimet më prestigjioze që janë bërë
në vitet e fundit, ndërsa për Çabejn nga më të rëndësishmit botime gjer më sot dhe
krenaria e saj në panairin 2013.
"Meshari" erdhi në Shqipëri pak ditë para
përkujtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe ishte një nga evenimentet më të respektuara,
që u bënë në këtë vit. Në formën që është deri më sot, ruan 188 faqe, ndërsa i mungojnë
16 faqet e para, por edhe disa të tjera syresh në mes. Ndaj, duke mos pasur as kopertinë,
as faqen e parë, nuk dihet titulli i vërtetë i veprës dhe as vendi i vet i botimit
etj. Në një farë mënyre, kjo fatkeqësi mund të quhet edhe fat, pasi hamendësohet se
po ta kishte kopertinën ose faqen e parë, libri mund të ishte zhdukur, sepse, mesa
duket, ka qenë në listën e atyre librave që kanë qenë ndaluar. Ai u zbulua më 1740
në Bibliotekën e Propaganda Fides prej ipeshkvit të Shkupit, Imzot Gjon Nikollë Kazazi
nga Gjakova. Me pathos për këtë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxetën në Palermo, të cilit
i dërgoi edhe një faqe. Libri supozohet të jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin,
me ndihmën e edhe të disa shenjave cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim bëri bujë
të madhe, sepse është libri i parë që njohim deri më sot në gjuhën shqipe. E megjithatë
mbeti ne heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi
Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu:
R.G. Liturgia III, 194. Më 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat
gjendet në Bibliotekën Kombëtare Shqiptare në Tiranë. Për fat, më 1968, gjuhëtari
më i madh shqiptar Eqerem Çabej, përfundoi studimin shkencor te veprës së Buzukut,
shoqëruar edhe me një studimin interesant për gjuhën dhe vlerat e autorit. Aq i madh
është nderimi për këtë libër, saqë ekspozimi i veprës origjinale për herë të parë
në Shqipëri në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë,
u kthye gati në një pelegrinazh popullor. NGA: BEN ANDONI