Lartohet në nderimet e elterit Maria Teresa Bonzel
Sot në Paderborn të Gjermanisë u ngrit në nderimet e elterit, duke u shpallur e lume,
Maria Teresa Bonzel, themeluese e Motrave të Varfëra Françeskane të Adhurimit të Përhershëm
të Olpes. Në emër të Papës Françesku, kremtoi meshën e lumnimit, prefekti i Kongregatës
për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Anxhelo Amato, i cili na jep një biografi të
shkurtër të së Lumes, në mikrofonin tonë: E Lumja e re u lind më 17 shtator
1830 në Olpe të Vestfalisë, në dioqezën e Paderbornit. U pagëzua një ditë më vonë
me emrat Regjina Kristina Gulielmina. Në familje e thërrisnin “Aline”. Prindërit ishin
të pasur dhe i përkisnin njërës nga familjet më të lashta e më fisnike katolike të
dioqezës. Feja e gjallë e prindërve, shembulli i mirë, jeta me lutje, kontribuan në
formimin e krishterë të vogëlushes. Pas shkollës fillore, ndoqi në Këln, Kolegjin
e motrave orsoline. Kur u kthye në familje, shprehu dëshirën për t’u bërë murgeshë,
por mospëlqimi e së ëmës, zemra e dobët, që do ta mundonte gjithë jetën e, sidomos,
sëmundja e së motrës, e penguan ta zbatonte këtë projekt. Si arriti pastaj
t’i përkushtohej plotësisht Zotit? Duke ngulur këmbë në qëllimin e saj për t’iu
përkushtuar Zotit, së bashku me disa shoqe, vendosi të themelojë një Institut rregulltar,
sipas rregullës së Urdhërit të Tretë të Shën Françeskut. Mori miratimin e ipeshkvit
të Paderbornit. Kështu, në vitin 1863, lindi “Kongregata e Motrave të Varfëra Françeskane
të Adhurimit të Përhershëm”. Maria Bonzel qe eprore e përgjithshme deri në vdekje,
më 6 shkurt 1905. Kur u nda nga kjo jetë, në Gjermani ishin aktive 870 murgesha në
71 shtëpi, ndërsa në Amerikë, 700 murgesha në 42 shtëpi. Cili ishte elementi
dallues i përshpirtërisë së saj? Fryma e lutjes ishte karakteristikë e së Lumes,
ashtu si edhe bamirësia e saj. Në veçanti, ajo e braktiste veten krejtësisht në duart
e Provanisë Hyjnore, sidomos gjatë sprovave e sëmundjeve. Përkushtimi i saj për Eukaristinë
ishte shembullor e shpesh shihej në gjunjë në kapelën e adhurimit. Bamirësia e saj
amnore shtrihej mbi fëmijët jetimë të kolegjit e jashtë tij. Shqetësohej që pas shkollës,
çdo fëmijë të gjente një vend të mirë e të strehohej pranë një familjeje për të qenë.