2013-11-08 17:25:27

Unitalsi kremton 110-vjetorin e themelimit, nesër takimi me Papën


Kaluan 110 vjet, që kur Giovanni Battista Tomassi përballoi shtegtimin e parë në Lurdë, pas të cilit, në vend që t’i jepte fund jetës, siç kishte menduar të bënte, në se Zoti nuk do ta shëronte nga sëmundja prej së cilës vuante, djaloshi themeloi Unitalsin. Vullnetarët e Shoqatës, që merren me transportimin e të sëmurëve në Lurdë e në shenjtërore ndërkombëtare, vijojnë t’i shoqërojnë njerëzit me aftësi të kufizuara fizike në shtegtim, duke u ngjallur të njëjtën shpresë, që e pati shpëtuar themeluesin Tomassi.
Të dëgjojmë një bilanç të këtyre 110 vjet jete, nga kryetari i shoqatës, Salvatore Pagliuca, që nesër do të takohet me Papën Françesku, për të kremtuar këtë arritje jo pak të rëndësishme:RealAudioMP3

Përgjigje: - Natyrisht, me kalimin e kohës, shoqata pësoi ndryshime, por pika kryesore e referimit mbetet gjithnjë shtegtimi, e jo vetëm. Në shtegtim anëtarët e shoqatës sonë, vullnetarë e të sëmurë, e ndjejnë fort frymën e dashurisë, e pastaj, kur rikthehen në shtëpi, nuk mund të jenë më indiferentë për atë që u ndodhi në jetën e tyre, në shtegtimin e tyre, që lë gjithnjë gjurmë të pashlyeshme në shpirt, e shpesh herë, edhe në korp. Në një shoqëri, si kjo e sotmja, të cilën Papa Françesku e skicon mrekullisht, kur flet për kulturën e përjashtimit, të sëmurët tanë nuk janë botë më vete, aq më pak, botë, që duhet përjashtuar, duhet lënë mënjanë, sepse nuk vlen më. E në këtë drejtim Unitalsi ka zhvilluar e zhvillon një sërë veprimtarish, i nxitur nga fantazia e dashurisë së krishterë, për ta matur këtë botë me metrin e njeriut, të çdo njeriu. E dimë se shoqëria sotme kërkon ethshëm të bukurën, të përkryerën, ngadhënjyesen. Por të gjithë e dimë edhe se bota jonë nuk është e përkryer: është mozaik, ku çdo gur duhet të ketë vendin e vet. Për këtë punon Unitalsi, duke u bërë çdo vit e më shumë Shoqatë e pranishme në të gjithë territorin, për të realizuar atë, që e quajmë “shtegtim në shpirtin e njeriut”, shenjëtërorja e vërtetë e Hyjit.








All the contents on this site are copyrighted ©.