2013-11-08 18:46:52

Muri i Berlinit: nga Vatikani tek CIA, ja ku janë copat e tij


Mbrëmjen e 9 nëntorit të vitit 1989 binte muri i çimentos, që ndante më dysh Berlinin. Nesër, gjithë bota kujton shembjen, bashkë me të, të komunizmit ateist evropianolindor. Po e kujtojmë edhe ne, kësaj radhe me një pyetje. Ku kanë përfunduar 45 mijë panelet prej çimentoje, pak më të lartë se 3,3 metra, të gjerë një metër e të thellë 20 centimetër, që i pengonin njerëzit të shiheshin në sy, sepse “komunistë”, nga njëra anë e “kapitalistë”, nga ana tjetër? Pas euforisë së shkatërrimit të këtij simboli, që shënonte jo vetëm fundin e komunizmit, por dhe bashkimin e Gjermanisë e të Evropës, e cila tani – siç pati kërkuar i Lumi Gjon Pali II – mund të merrte frymë lirisht me të dyja mushkëritë, copat e këtij muri, pak nga pak, u morën për t’u shitur si kujtime të vyera për ndokënd, ose thjesht, si objekte turistike, për dikë tjetër. Disa nga panelet u ruajtën e mbetën në këmbë për të mos harruar ç’ndodhi, që të mos përsëritet më. Po pjesa tjetër e paneleve, ku është? Gjenden në vende nga më të ndryshme, nga Selia e Shenjtë deri në kufirin ndërmjet dy Koreve. Lista është e gjatë:
- Njëri ndodhet brenda kopshteve të Vatikanit, dhuruar Papës nga ish-Gjermania Lindore;
- Tjetri, në Parlamentin Evropian;
- Një tjetër, në kufirin ndërmjet Koresë së Veriut e asaj të Jugut;
- Akoma, në shtabin e përgjithshëm të CIA-s, në Lengli;
- Në bibliotekën presidenciale “Ronald Regan” në Kaliforni;
- Në Forumin Botëror të Lirisë (Freedom Forum Ëorld Center) të Arlingtonit, një organizëm që mbron lirinë e shtypit dhe të drejtat e njeriut e që zotëron 10 panele të murit, si edhe kullën e vrojtimit “Check Point Charlie”.
- Në Librarinë dhe Muzeumin kushtuar Xhon F. Kenedit në Boston;
- Në koleksionin e artistit danez Jens Galshiot Kristofersen, i cili ka dy panele në Danimarkë e të tjera, rezervë, në Berlin;
- Në shtëpinë parisiane të mbretëreshës së konjakut e aktores së ish-Jugosllavisë, Liljana Henesi;
- Në Hotelin “Metropole Palace” të Montekarlos, një panel i dhuruar nga ish-Gjermania Lindore.
- Në koleksionin Jaguba Rizzoli në Cap Ferrat të Bregut të Kaltërt në Francë.
- Në bazën ajrore Rhen-Main të Frankfurtit;
- Në qytetin gjerman të Dingelshtadtit, i cili e ka shndërruar panelin e vet në meridianë diellore.
- Në koleksionin e Tomas Shtefen, një pastiçieri të një qyteze në Gjermaninë jugore.
E mund të vazhdonim akoma, duke dëshmuar se ai që kudo njihet si “The Ëall” (Muri) ka bërë tashmë xhiron e “The Ëorld” (pra, të gjithë botës). I ngritur duke u nisur nga një skelet i thjeshtë teli me gjemba, Muri i Berlinit shndërrohet shpejt në një strukturë, që të shtinte frikën. 156 kilometra i gjatë, pajiset me qindra bunkerë e kulla vrojtimi, gropa, barriera prej çimentoje, kurthe kundër tanksave, elektrifikohet, ndërtohet edhe një mur përforcues pas tij, ndërsa në mes mbretëron “zona e vdekjes”, një fashë nën zjarrin e rojeve. Muri, që dukej i pakapërcyeshëm, nuk i shkurajoi kurrë berlinezët, të cilët u përpoqën të arratiseshin gjithnjë. Disa ia arritën, të tjerë u kapën e u vranë, por martirizimi i tyre nuk shkoi kot. Pas 28 vjetësh nga ndërtimi, Muri i Berlinit u shemb nën kazmat e qytetarëve, duke dëshmuar se asnjë pengesë nuk mund ta ndalojë shpirtin e njeriut të kërkojë me çdo kusht lirinë, që ia ka dhuruar Zoti me frymën e Tij, që në fillim të jetës. E s’ka Luftë të Ftohtë, që mund të fitojë!







All the contents on this site are copyrighted ©.