2013-11-06 15:59:04

P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Krijues i qiellit e i tokës


“Ekzistenca dhe prania e engjëjve përkrah qenieve njerëzore, është e vërtetë feje”. Na e kujton Katekizmi i Kishës Katolike, që na fton edhe t’i shikojmë lajmëtarët e Zotit si miq, të cilëve mund t’u kërkojmë ndihmë e ndërmjetësim. E kujton edhe jezuiti, atë Kovalçik, në bisedën e 19-të të ciklit, kushtuar 20 vjetorit të botimit të Katekizmit të Kishës Katolike.
Themi se Hyji krijoi qiell e tokë. E kjo do të thotë se krijoi gjithçka. “Toka” tregon botën materiale, të dukshme. “Qielli”, botën shpirtërore, të padukshme.

Katekizmi pohon: “Ekzistenca e qenieve shpirtërore, pa trup, të cilat Shkrimi i Shenjtë i quan zakonisht engjëj, është e vërtetë feje” (KKK 328). Shën Agostini shpjegon se fjala “engjëll”, tregon detyrën, domethënë misionin e kasnecit të Hyjit. Ndërsa për të treguar natyrën e këtyre qenieve, përdoret fjala “shpirt”.
Ndërmjet engjëjve janë ata, që Kisha i quan “Engjëjt e Rojës”. Mbarë Kisha dhe çdo besimtar gëzojnë ndihmën misterioze të engjëjve. Në Psalmin 92 lexojmë: “Ai u jep urdhër engjëjve të Tij të na ruajnë në çdo hap”. Autori i Letrës drejtuar Hebrenjve pohon se engjëjt janë shpirtra, të ngarkuar me një detyrë, të dërguar për t’u shërbyer atyre, që duhet të trashëgojnë shëlbimin(1,14). Vetë Jezusi, në misionin e Tij, shoqërohej nga engjëjt.

Katekizimi citon fjalët e Shën Bazilit të Çezaresë: “Çdo besimtar e ka gjithnjë pranë një engjëll, si pajtor e bari, për t’i prirë kah jeta e amshuar”(KKK 336). Atëherë nuk duhet të harrojmë të flasim me Engjëllin tonë të Rojës, siç flitet me një mik të madh.
Lutjet drejtuar engjëllit të rojës nuk janë kurrsesi të përshtatshme vetëm për fëmijët. Papa Gjoni XXIII na jep një dëshmi të rëndësishme: “Kur më duhet të vizitoj ndonjë personalitet të shquar, i kërkoj Engjëllit tim të Rojës të merret vesh me të tijin, që të ndikojë mbi vullnetin e tij. Është devocion i vogël, që ma kujtoi Ati i Shenjtë Piu XI e që vërej se është shumë i frytshëm”. Gjithsesi të mos harrojmë se engjëjt nuk janë hyjni, por vetëm lajmëtarë të Hyjit, një i vetëm në Tri Vetje.







All the contents on this site are copyrighted ©.