2013-11-06 17:43:08

Lutja e Papës për Noemin. Babai i vogëlushes së sëmurë: gjest që na rikthen shpresën


Noemi, vogëlushja 16 muajshe, për të cilën u lut Papa, vuan nga një sëmundje e rrallë, e tmerrshme gjenetike: Sma, atrofi muskolare kurrizore. I ati, Andre Shiarreta, 26 vjeç, i shkroi Papës një letër të dëshpëruar, që nis me fjalët: “Me kënaqësi, po ju njoh me Noemin!”. Në letër kërkon që vogëlushja të rifillojë mjekimet me metodën Stamina, e cila nuk autorizohet më në Itali. Papa Françesku i telefonoi babait të vajzës e pastaj dërgoi Lëmoshtarin e vet, imzot Konrad Krajevskin në Guardiagrele, provinca e Kietit, ku banon familja. E sot e priti në Shtëpinë e Shën Martës. Ne intervistuam Andre Shiarretën:

Përgjigje: - Takim shumë prekës. Papa Françesku ishte pranë e pranë Noemit. Mundem të flasim e të lutemi së bashku për Noemin. Kjo dhuratë na emocionoi pa masë, aq më tepër se sot jemi mysafirët e Papës këtu, në Vatikan. Do ta kalojmë natën në Vatikan e do të hamë në një sofër me Atin e Shenjtë.

Pyetje: - Papa u lut për vogëlushen tuaj në audiencën e përgjithshme. Lutje që i preku të gjithë….

Përgjigje: - Papa, duke qëndruar pranë Noemit e duke e pritur, i la të kuptojnë të gjithëve se ai i mirëpret tërë fëmijët e sëmurë, që po jetojnë një dramë të ngjashme me tonën. Papa është pranë nesh në këtë situatë e nuk do të na braktisë.

Pyetje: - Si është Noemi?

Përgjigje: - Ka humbur aftësinë për të gëlltitur; ushqehet me një sondë të vogël e mbrëmjeve bën frymëmarrje artificiale. Jemi njerëz me jetë të kufizuar në kohë, e prandaj koha për ne është jetike. Noemi ka nevojë të menjëhershme për infuzione të metodës Stamina, pa humbur më asnjë çast. Ajo, që më çudit shumë, është se Papa pranoi ta presë vogëlushen. Noemi e vogël, u prit nga një njeri kaq i madh, nga një njeri kaq shenjt. Për fat të keq, shteti italian nuk ka dashur t’ia dijë kurrë për ne, për mjerimin tonë. Ndërsa Njeriu i madh, Njeriu i shenjtë, Papa Françesku e dëgjoi menjëherë britmën e një foshnjeje: e priti, ia hapi portën e shtëpisë së tij, e ftoi, si ta kishte njohur prej kohe, ia shtroi sofrën, duke dashur ta kuptojë me të vërtetë ç’duhet bërë për ta ndihmuar. Kjo e shpreh shumë më mirë se fjalët, dashurinë e pakushtëzuar të Papës për këta fëmijë.

Pyetje: - E çfarë mund të bëhet për Noemin?

Përgjigje: - Gjykatësi, që po vendos për të, për t’i hapur rrugën e metodës Stamina, duhet ta miratojë fillimin e mjekimeve, në Breshia, mbi bazë të një ligji të shtetit italian. Ne duam që Noemi të mjekohet sipas metodës Stamina, që lista e njerëzve në pritje, në Breshia, të zhbllokohet e që të gjithë ata, të cilët duan ta marrin mbi vete përgjegjësinë për ta provuar shpresën konkrete, staminën, të vendosin vetë për vetveten e jo të vendosë dikush tjetër për ta.

Pyetje: - Cilat janë shpresat tuaja?

Përgjigje: - Ne sot po jetojmë një ëndërr. Tani presim vërtet - përtej kufijve të kësaj ëndrre – të rikthehemi në shtëpi e të dëgjojmë shpejt telefonatën, që na lajmëron se javën e ardhshme Noemi do të mund t’i bëjë staminalet. Mund të lidheni me ne, sepse kemi një shoqatë, që quhet “Projekti Noemi”: kanali është . Kemi edhe faqen Facebook të ‘Projektit Noemi’ e mund të lexoni në të gjithçka po ndodh me ne e me Noemin e vogël. Pastaj, nëse dëshironi të na ndihmoni, në se ndokush dëshiron t’i konkretizojë me të vërtetë shpresat e Noemit - sepse shpresa duhet edhe të konkretizohet – të lidhet me ne. Vetëm këtë presim. Shpresoj me gjithë zemër në gjestin e Papës Françesku: prej tij të gjithë do ta kuptojnë se askush nuk mund të na e marrë shpresën. Nuk mund të na e rrëmbejë shpresën!











All the contents on this site are copyrighted ©.