2013-11-06 16:01:57

Kardinali Xhivish tregon për marrëdhëniet e tij me Papën Vojtila në librin “Kam jetuar me një shenjt”


“Kam jetuar me një shenjt” është titulli i librit të kardinalit Stanislau Xhivish, aktualisht kryeipeshkëv i Krakovit, por dikur, sekretari personal i Papës së lum Gjon Pali II. Në një bisedë me gazetarin Xhanfranko Sviderkoski, tetë vjet pas vdekjes së Karol Vojtilës, prelati kujton detajet e jetës së një njeriu, që do të shpallet shenjt më 27 prill të vitit 2014.
Gjatë paraqitjes së librit në Romë, u vunë në dukje tiparet karakteristike të të Lumit, si marrëdhëniet e thella me Zotin, pasioni për Ungjillin e për njeriun, përbuzja për ideologjitë, hovi misionar. Në shfletimin e faqeve ndërthuren çastet “historike” të Karol Vojtilës si kryeipeshkëv i Krakovit e sidomos si Papë, me ato më “intime” si dashuria e thellë për Krishtin, kujdesi për njerëzit, lutja. Në qendër të gjithçkaje, mesha. “Kuptohej fort mirë – shkruan kardinali Xhivish – se nuk ishte thjesht çasti qendror i çdo dite të tij… por nevojë e thellë e shpirtit”. Konfirmon imzot Paolo Ptasznik, për vite me radhë, bashkëpunëtor i Gjon Palit II e përgjegjës i Seksionit polak të Sekretarisë së Shtetit:
Lutja ishte në bazën e krejt veprimtarive të tij. Ai e jetonte fenë jo si besim në të Vërtetat absolute, por si marrëdhënie konkrete me Jezu Krishtin. Për këtë, në çdo çast, përpiqej t’i qëndronte afër e ta dëgjonte Zotin, të kuptonte nga këto takime zgjidhjen e problemeve e të ndërmerrte nisma për Kishën. Sidomos mesha ishte për të çast i veçantë. E kemi provuar disa herë, si në kapelën e tij, ashtu edhe gjatë udhëtimeve e gjatë kremtimeve publike.
Një nga bashkëpunëtorët me të ngushtë të të Lumit Gjon Pali II është edhe kardinali Kamilo Ruini, vikar i Romës nga viti 1991 deri në vitin 2008. Gjatë paraqitjes së librit, kujtoi se Karol Vojtila e mendonte Kishën si “shtëpi e shkollë bashkimi”, me detyrën më të madhe të saj: ungjillëzimin. Siç shkruan kardinali Xhivish, pas vështirësive të para për ta pranuar këtë “Papë polak”, marrëdhëniet me Kurien u përmirësuan dukshëm, por nuk kishte ardhur akoma koha e përshtatshme për një reformë të përgjithshme të Kuries, të cilën e dëshironte me zjarr Karol Vojtila e të cilën po e realizon tani Papa Françesku. Pikërisht kardinal Ruinin e pyetëm ç’i ka bërë më shumë përshtypje nga libri:
Më ka bërë përshtypje sa shumë është thelluar kardinali Stanislau Xhivish. Shihet qartë se gjatë këtyre tetë vjetëve nga vdekja e Gjon Palit II, ka vazhduar të jetojë me të, megjithëse në një formë tjetër. Kështu, ka mundur ta bëjë më tej të vetën, ta përtypë më mirë, trashëgiminë e madhe, që na la Karol Vojtila e që shprehet sidomos në planin për Kishën. Ai e filloi e duhet të vazhdojë.
Gazetarit Xhanfranko Sviderkoski i kërkuam të na flasë për të rejat e këtij libri-intervistë me kardinalin Xhivish:
Libri merr kuptim sidomos për faktin se don Stanislau dëshiron të dëshmojë shenjtërinë e Gjon Palit II, e cila në etapa të caktuara, arrinte nivele heroizmi – siç qe periudha e atentatit – ose ishte një lloj shenjtërie, që don Stanislau e quan mistike, siç qe periudha e fundit të jetës, periudha e vuajtjes… Ai tregon - me përvuajtëri, pasi duhet të jemi të ndërgjegjshëm – se nganjëherë, të premteve, Papa ndihej keq pa pritur. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është tregimi i shenjtërisë së zakonshme, normale, që mund ta kenë të gjithë. Nuk ka asnjë dallim ndërmjet njeriut të Zotit, njeriut të lutjes e Papës së gjesteve të mëdha publike, Papës, që takohej me njerëz të rëndësishëm të kësaj Toke. Nga ana tjetër, kur u fliste të rinjve, i nxiste të shkonin kundër rrymës e të bëheshin shenjtorë. Ne mendojmë se shenjtëria është vetëm për mistikët, ose për martirët, por është diçka, që mund ta arrijmë ditë pas dite.
Sipas tregimit të kardinalit Xhivish, si e kuptonte Gjon Pali II ungjillëzimin, misionin e Kishës?
Hapësira që i dha ai kësaj Kishe të hapur për laikët, siç pati bërë në Krakov, hapësira për protagonistët e rinj të krishterimit, bëri që Kisha të ndryshojë e të vazhdojë në këtë udhë edhe sot: të rinjtë, me themelimin e Ditës Botërore të Rinisë, lëvizjet e reja, që i mbrojti nga rreziku i sektarizmit të brendshëm e nga kundërshtimet, vlerësimi i gruas…Ai e përkufizoi gjeninë femërore në një mënyrë njëmijë herë më të lartë nga gjithçka bënte feminizmi. E pastaj, mbrojtja e gruas, e martesës, e jetës… Mendoj se Vojtila dëshironte me gjithë shpirt ta zhvendoste idenë e Kishës, nga tepër institucionale në një Kishë, që krijon më shumë bashkim e familje, e hapur për laikët.








All the contents on this site are copyrighted ©.