2013-11-06 16:01:46

Kardinal Filoni: Kisha në Pakistan, aktive në një realitet të vështirë, ka nevojë për solidaritet


Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni, sapo është kthyer nga një udhëtim në Pakistan, ku kryesoi meshën për shugurimin e ipeshkvit të Faisalabadit, imzot Jozef Arshad. Gjatë vizitës së tij baritore, kardinali u takua edhe me bashkësinë katolike lokale. Në mikrofonin tonë, shpjegon se ç’Kishë punon e jeton në Pakistan, vend me shumicë myslimane:
Kisha në Pakistan është pakicë, në krahasim me popullsinë e madhe të këtij vendi, por është një pakicë mjaft e rëndësishme dhe aktive. Gjeta një Kishë të impenjuar jashtëzakonisht në jetën fetare, por edhe në shërbime të ndryshme shoqërore dhe edukative, në kontakt me realitetin e përditshëm të vendit, sidomos me bashkësitë fetare islamike. Ka një bashkëpunim të frytshëm edhe me Kishat jo katolike, pasi ndihmojnë njëra-tjetrën për zgjidhjen e problemeve të bashkëjetesës ndërmjet krishterimit e islamizmit. Kisha jonë jeton me pak. Imazhi i Shën Palit Apostull, ai i enës prej balte - i menduar në gjendje shumë të vështira, në mesin e enëve prej hekuri - më duket mëse i përshtatshëm e shprehës.
Në vend ndjehet kërcënimi i ekstremizmit, i fanatizmit islamik. Është në rrezik krejt bashkësia e krishterë e Pakistanit?
Po, më duket se vendi e jeton këtë traumë. Disa më thanë edhe se ky problem nuk i përket historisë dhe kulturës së një vendi të ri, si Pakistani (kujtojmë se është themeluar në vitin 1947). Në të kaluarën, bashkëjetesa krijonte disa vështirësi, por jo në këtë nivel. Sot, përjetohet një traumë e përgjithshme. Natyrisht, të krishterët i vuajnë drejtpërdrejt, në lëkurën e tyre, sulmet, që janë edhe psikologjike, prekin edhe mbijetesën, prandaj lënë shenja, nganjëherë të pashlyeshme. Megjithatë, njerëzit nuk kanë ndërmend të largohen, duan të qëndrojnë në vend për të dhënë dëshminë e tyre si të krishterë, vendosur aty nga Provania Hyjnore. Mendoj se edhe autoritetet politike janë të vetëdijshme për këtë. Është një Kishë, që ka nevojë për solidaritetin e të gjitha Kishave të botës. Duhet ta ndjejë dashurinë, përkrahjen, lutjen, nuk duhet të ndjehet vetëm. Personalisht, pata rastin të takohem me njerëz, që më falenderonin thjesht për faktin se kisha shkuar aty, se po rrija me ta, se po lutesha me ta. Merrnin guxim nga prania e një përfaqësuesi të Vatikanit, më shprehën shumë dashuri për Atin e Shenjtë, bekimin e të cilit ua çova. Pra, është një Kishë, e cila jep një dëshmi shumë të bukur.
Nga pikpamja shoqërore dhe edukative, cili është roli i Kishës Katolike në Pakistan?
Është një rol i vlerësuar shumë, gjithmonë. Edhe sot, shkollat tona nuk janë vetëm për të krishterët. Fëmijët, të rinjtë, të rejat e krishtera studiojnë përkrah shokëve e miqve myslimanë, që përbëjnë shumicën nëpër shkolla. Familjet i dërgojnë që të jetojnë, të rrinë e të edukohen së bashku, të mësojnë së bashku vlera e sjellje, të njihen, pavarësisht nga feja e ndryshme. Pra, familjet dhe autoritetet i vlerësojnë shkollat tona. Ne kemi rreth 560 shkolla e 130 institute bamirësie. Karitasi punon mirë dhe respektohet shumë, sidomos pas tërmetit të fundit, pasi ndihmoi edhe aty, ku nuk kishte asnjë familje të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.