2013-11-03 16:41:19

Skllavëri të reja: Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore mbledh mjekët në Vatikan


Gjendja aktuale e trafikut të njerëzve dhe skllavëritë moderne, si edhe një plan për luftën kundër tyre: këto janë dy temat kryesore, në qendër të Konferencës së organizuar në Vatikan nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore dhe Federata Botërore e Shoqatave të Mjekëve Katolikë. Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Punës, në periudhën 2002-2010, rreth 21 milion njerëz në botë kanë qenë viktima të punës së detyruar, sidomos të shfrytëzimit seksual. Çdo vit, rreth 2 milion vetë janë viktima të trafikut seksual, 60% e të cilave, vajza e gra. Ndërkaq, trafiku i organeve përbën 11% të shifrës së përgjithshme. Për rezultatet e konferencës, që mbahet sot e nesër, të dëgjojmë kancelarin e Akademisë Papnore për Shkencat Shoqërore, imzot Marselo Sançez Sorondo:RealAudioMP3
Duam të kuptojmë shtrirjen e vërtetë të fenomenit, të kemi një ide të përbashkët si Kishë. Ka konferenca ipeshkvnore si ajo angleze, apo ajo e Guatemalës, që kanë hartuar dokumente për trafikun e njerëzve, por të tjerat nuk e njohin mirë problemin. Kemi pasur një propozim interesant nga një mjek, që sugjeron të ruhet ADN-ja e fëmijëve të zhdukur, së bashku me atë të prindërve, për ta krahasuar. Në fakt, gjëja e parë, që bëjnë trafikantët, është zhdukja e shenjave të gishtërinjve. Pastaj ka vende me dy faqe: nga njëra anë flasin për jetën, nga ana tjetër vetë institucionet e tyre nuk duan t’ia dinë për këtë problem. Mjafton të kujtojmë ç’ndodhi në Bosnjë, ku disa amerikanë merreshin me trafikun e skllaveve, denoncuar nga një grua amerikane, e cila u pushua më pas nga puna, që kishte në OKB (rasti Kathryn Bolkovac). Kemi edhe vende, ku prostitucioni njihet si punë: kështu krijohet treg për trafikun. Për shembull, ky problem është shumë i ndjerë në Gjermani e në vende të tjera të veriut. Shteti thotë se duhet ndërhyrë, por nga ana tjetër, nxjerr fitime nga ky shfrytëzim. Edhe Selisë së Shenjtë i kemi kërkuar të ratifikojë sa më shpejt Protokollin e Palermos, për parandalimin e luftimin e trafikut të njerëzve, sidomos të grave e fëmijëve. Papa dëshiron t’i sqarojë këto gjëra, prandaj na nxiti edhe ne të Akademisë të mos merremi me argumente abstrakte, por me probleme konkrete.







All the contents on this site are copyrighted ©.