2013-11-03 16:40:07

Kardinali Braz de Aviz: kultura e së përkohshmes nxit formimin e vazhdueshëm të krishterë


“Besnikëria dhe qëndresa në thirrje në kulturën e së përkohshmes”: ky është titulli i Ditës së studimit, që u mbajt të martën e kaluar në Universitetin Papnor Antonianum të Romës. Punimet i hapi prefekti i Kongregatës për Institutet e Jetës së Shuguruar, kardinali Zhoao Braz de Aviz, i cili nënvizoi rëndësinë e formimit, që zgjat nga lindja në vdekje – sipas tij, e vetmja mënyrë për të kapërcyer krizën e thirrjeve për jetën rregulltare e meshtarake. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Unë mendoj për Kishën për institucionet brenda saj, në këtë periudhë kaq të rëndësishme, që është formimi bazë për thirrje të ndryshme. Në bazën e këtyre thirrjeve është aftësia tërheqëse e Zotit, të cilën Hyji e ushtron me dashuri mbi personin, që më pas, përgjigjet si individualisht, ashtu edhe me mjetet që i jep Zoti, Kisha e institucionet e saj. Kur këto gjëra ia përshtatim kohës, duhet të kemi kujdes, pasi këtu hyn kultura e së përkohshmes, sipas së cilës, asgjë s’është përfundimtare: “Deri sa të më pëlqejë, deri sa të më bëjë të lumtur…”. Në vetvete, nuk është qëndrim negativ, pasi çdo njeri kërkon të realizojë ëndrrat e tij, në çastin aktual, por ka rrezik të mos e gjejmë më atë besnikëri, që i përgjigjet besnikërisë së Zotit ndaj nesh. Duhet të thellohemi në këtë çështje: duhet të jemi besnikë, pra të vazhdojmë t’i shërbejmë Zotit në kohë, pozitivisht, por me lumturi në zemër. Në këtë kuptim, duhen parë përvoja e Zotit, e dashurisë së Tij, por edhe përvoja e ndryshimit të marrëdhënieve ndërmjet nesh.
Është ajo aftësi tërheqëse e Zotit, që thirri edhe shën Françeskun e shën Kiarën e Asizit, apo jo?
Janë të rinj, që iu përgjigjën Zotit me zemër. Sigurisht, që Hyji i ka tërhequr me forcë pas vetes, siç bën me të gjithë të thirrurit.Në qendër të formimit tonë, në të gjitha çastet e jetës, është Fjala e Zotit. Fjala e Hyjit është mike e njeriut, është e afërt, nuk na imponon pesha të rënda, por na jep kushtet për arritjen e lumturisë. Nëse nuk jetohet plotësisht, me impenjim të vazhdueshëm, mund të ndodhë që një pjesë e jetës sonë të dojë kushte të tjera, që nuk janë ato të Fjalës së Zotit. Kjo krijon vështirësi. Edhe mësimet e Kishës janë në dialog të vazhdueshëm me historinë, me njerëzit, por sjellin dritë mbi sendet, si shndrisin ato me dritën e Hyjit. Edhe magjisteri i Kishës është për ne burim urtie e dije. Sot, shohim se duhet të rithemelojmë disa pika bazë të udhës sonë. Për shembull, nuk mund ta kalojmë jetën, duke administruar vepra, për të cilat nuk jemi më në gjendje të japim llogari. Kemi nevojë të shkojmë në thelbin e gjërave, në marrëdhëniet me Zotin, në dialogun e vazhdueshëm me Hyjin, të jemi të vetëdijshëm se jemi përgjigje ndaj thirrjes së Zotit, por në mesin e të tjerëve, duke e jetuar kështu si duhet lumturinë, që na jep Ati Qiellor, duke rilidhur marrëdhëniet tona me të tjerët.







All the contents on this site are copyrighted ©.