2013-11-01 15:44:48

Varreza Monumentale e Veranos


Varreza monumentale e Veranos është vendvarrosjeje të paktën prej njëzet shekujsh, siç e dëshmon prania e një nekropoli romak, që njihet me emrin katakombat e Shën Qiriakës. Emrin Verano e mori nga fusha e lashtë e Veranëve, fis senatorësh në kohët e republikës romake. U themelua përgjatë rrugës konsullore Tiburtina në kohën e mbretërisë napoleonike, në vitet 1805-1814, në përkim me ediktin e Saint Cloud të vitit 1804, që urdhëronte varrosjen jashtë mureve të qytetit. Projekti iu besua Giuseppe Valadier ndërmjet viteve 1807 e 1812. Varreza u kushtua në vitin 1835, pa përfunduar ende punimet, që vijuan gjatë Papnisë së Gregorit XVI e të Piut IX, nën drejtimin e Virginio Vespignanit e edhe pasi Roma u bë kryeqytet (1870-1871). Asokohe në kufijtë e varrezës u përfshinë copa të mëdha toke, si për shembull, trojet e vilës Mancini, mbi të cilën ngrihet zona e Pincetto-s. Gjëja e parë që të tërheq vëmendjen është hyrja kryesore: tri porta me harqe e katër shtatore të mëdha, që simbolizojnë Meditimin, Shpresën, Mëshirën e Heshtjen. Portat janë vepër e Vespignanit, kryer në vitin 1880. Një hap përtej njërës nga portat e Veranos, e hyn menjëherë në botën e të vdekurve, disa nga të cilët bëjnë gjumin e mbramë aty prej më se 20 shekujsh, në varre tashmë të harruara, ku askush nuk sjell më lule. Po lulet e qirinjtë nuk mungojnë, sidomos këto ditë, mbi varret e vjetra e të reja, si simbole të jetës, që përtërihet e të pushimit në paqe, nën rrezet e Dritës së Pambaruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.