2013-11-01 18:07:59

Shenjtorët e javës, 4-10 nëntor


Më 4 nëntor përkujtohet Shën Karlo Borromeo, ipeshkëv. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVI iu përkushtua plotësisht reformës së jetës kishtare në dioqezën e Milanos, duke i paraqitur si alternativë reformës protestante, rrugën e përtëritjes shpirtërore si të vetmen rrugë për kthimin e kishës tek thirrja e saj ungjillore. Thoshte: “Shpirtrat fitohen duke ndenjur në gjunjë”.
Më 5 nëntor përkujtohet Shën Bertila. Fama e kësaj Shenjtoreje franceze të shekullit VII, tërhoqi vëmendjen e mbretërishës Batide, që kishte hyrë në kuvendin e Shelit, pas vdekjes së të shoqit, Klodoveut II, dhe kërkoi që Bertila të bëhej Abatesha e atij kuvendi.
Më 6 nëntor përkujtohet shën Leonardi i Noblakut, heremit. Kulti i tij u zhvillua shumë gjatë mesjetës, kur shtegtarë të shumtë, duke kaluar nëpër Francë, ndaleshin tek vendi ku ishte varrosur, gjatë udhëtimit drejt varrit të Shën Jakobit Apostull në Kompostelë të Spanjës. Shenjt me origjinë fisnike, iu kushtua shumë çështjes së atyre që ishin burgosur padrejtësisht.
Ma 7 nëntor përkujtohen Shën Baldi, Vilibrordi e Eleonora e Portugalisë. Ajo u bë e njohur për shkak të përçmimit të të mirave tokësore dhe ndarjes së pasurisë me nevojtarët.
Më 8 nëntor përkujtohet shën Adeodati e i Lumi Duns Skoti. I lindur në Skocinë e shekullit XIII, mes bukurive të natyrës së gjelbër të atdheut të vet verior, ku u rrit si bari delesh, kaloi nga soditja e natyrës së kësaj bote, në soditjen e mistereve hyjnore, duke u bërë njëri prej teologëve më të mëdhenj të kohës.
Më 9 nëntor përkujtohet kushtimi i Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. Bazilika u themelua nga Papa Melkiadi (311-314) në truallin që dhuroi për këtë qëllim perandori Kostantin, pranë pallatit të Lateranit, që deri atëherë kishte qenë rezidenca e perandorit dhe u bë rezidenca e Papës. Po këtë ditë përkujtohet edhe e Lumja Elizabeta e Trinisë.
Më 10 nëntor është e diel, dita e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.