2013-10-31 12:21:11

Papa: nuk mund të jesh i krishterë, pa e vënë dashurinë e Krishtit në qendër të jetës


Papa Françesku e kremtoi sot paradite Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në elterin, ku ruhet trupi i të Lumit Gjon Pali II. Të pranishëm, më se njëqind meshtarë edhe një mori besimtarësh. Papa komentoi leximet e ditës: fragmentin e Letrës së Shën Palit drejtuar Romakëve, kushtuar dashurisë për Krishtin dhe fragmentin e Ungjillit të Shën Lukës, ku Jezusi qan për Jeruzalemin, që nuk e kuptoi dashurinë e pafundme të Zotit për të.

“S’ka forcë që mund të më ndajë nga dashuria e Krishtit!”. Papa u nis nga kjo siguri e Palit. Zoti, tha, ia ndryshoi krejt rrjedhën e ngjarjeve, e tani dashuria për Jezusin është në qendër të jetës së tij. Prandaj as persekutimet, as sëmundjet, as tradhtitë e as gjithë ç’ka pësuar e do të pësojë, nuk do të mund ta shkëpusin kurrë më nga dashuria e Krishtit:
“Ishte qendra e jetës së tij, pikëmbështetja e tij: dashuria e Krishtit. E pa dashurinë e Krishtit, pa e jetuar këtë dashuri, pa e njohur, pa u ushqyer nga kjo dashuri, nuk mund të jesh i krishterë. I krishteri e di se sytë e Zotit e ndjekin kudo e kurdoherë, me atë shikim aq të bukur. E di se Zoti e do; e do deri në fund të fundit. I krishteri e ndjen… e ndjen se jeta e tij shpëtoi nëpër gjakun e Krishtit. E nga kjo lind dashuria: kjo lidhje është dashuri”.
Më pas Papa foli për trishtimin, që e pushton Jezusin, kur shikon se Jeruzalemi nuk arriti ta kuptojë dashurinë e Tij, nësa e krahasonr veten me klloçkën, që i mbledh zogjtë ndër krahë, për t’i ngrohur e për t’i mbrojtur:
“Nuk e kuptoi dashurinë e Zotit, dashuri që Jezusi e shpreh me këtë figurë kaq të bukur. Nuk e kuptoi dashurinë: e kundërta e asaj, që ndjente Pali. E pra, po, Zoti na do, Zoti më do, por është diçka abstrakte, që nuk ma prek zemrën, prandaj unë e jetoj jetën si të më vijë. Po këtu nuk ka besnikëri. Prandaj Jezusit i qan zemra, kur sodit Jeruzalemin e i thotë: ‘Jeruzalem, ti nuk je besnik, ti nuk dëshiron të të duan; u lëshove në krahët e idhujve, që të premtuan gjithçka, të thanë se do të të jepnin gjithçka, e pastaj të braktisën’. Zemra e Zotit zjen, vuan nga dashuria: dashuri e papranuar, e pakuptuar”.
Papa i ftoi të pranishmit të meditojnë për këto dy ikona: nga njëra anë, Pali, besnik ndaj Jezusit deri në fund të fundit, që në dashurinë e Zotit, edhe pse ndjehet i ligshtë e mëkatar, gjen forcë për të ecur përpara, për të duruar gjithë të zezat. Nga ana tjetër, Jeruzalemi, populli i pabesë, që nuk e pranon dashurinë e Krishtit, ose edhe më keq akoma, e jeton këtë dashuri, por përgjysëm, herë duke e pohuar e herë duke e mohuar, sipas interesave të veta:
“Shikojmë besnikërinë e Palit e pabesinë e Jeruzalemit e, në qendër, Jezusin, zemrën e tij, që na do aq shumë. Ç’ duhet bërë? –pyesim. Unë jam si Pali, apo si Jeruzalemi? Dashuria ime është po aq e fortë, sa e Palit, apo vakët, si ajo e Jeruzalemit? Zoti, me ndërmjetësinë e Të Lumit Gjon Pali II, na ndihmoftë t’i përgjigjemi drejt kësaj pyetjeje. E ashtu qoftë!".









All the contents on this site are copyrighted ©.