Papa anëtarëve të Rrethit të Shën Pjetrit: të jeni përkëdhelje e Zotit, shenjë e dashurisë
së Krishtit për të varfërit
“Vijoni të jeni shenjë e dukshme e dashurisë së Krishtit për nevojtarët”. Është porosia
që u dha sot Papa Françesku rreth 200 anëtarëve të Rrethit të Shën Pjetrit, duke i
pritur në audiencë, në Sallën Klementine, në Vatikan. Ati i Shenjtë i falënderoi veçanërisht
për Obolin apo Lëmoshën e Shën Pjetrit, që Rrethi e mbledh vit për vit në Kishat e
Romës, duke e ndihmuar drejtpërdrejt Papën në veprimtarinë bamirëse për nevojtarët
e këtij qyteti.
Feja e jetuar seriozisht, nxit sjellje bamirësie të vërtetë,
tha Papa, duke kujtuar se Viti i Fesë tashmë po i afrohet fundit e duke theksuar se
Kisha përtëriu besimin në Jezu Krishtin, duke ecur me gëzim në rrugët e Tij: “Kemi
plot dëshmi të thjeshta njerëzish, që u bënë apostuj të dashurisë në familje, në shkollë,
në famulli, në vende pune, takime shoqërore, në rrugë e kudo. E Apostull bamirësie,
kujtoi Papa, bëhet kush e merr seriozisht Ungjillin. Dishepulli i vërtetë i Zotit
impenjohet personalisht në veprimtari bamirësie, që kanë si përmasë varfërinë shumëformëshe
e të pafundme të njeriut”. Këtë veprimtari kryejnë edhe anëtarët Rrethit
të Shën Pjetrit. Edhe ju, miq, vijoi Papa, e ndjeni veten të dërguar tek vëllezërit
më të varfër, më të ligshtë, më të braktisur. E këtë e bëni si të pagëzuar, si detyrë
e besimtarit laik. Jo si detyrë e jashtëzakonshme a rastësore, por themelore, kishtare,
që duhet ushtruar ditë për ditë: “Çdo ditë ndodhemi para situatave, që
nuk na lënë të qetë. Çdo ditë secili nga ne thirret për të qenë ngushëllues, mjet
i përvuajtur e bujar i Provanisë së Zotit, i mirësisë së Tij përdëllyese, i dashurisë
së tij, që kupton e mëshiron, i ngushëllimit të Tij, që të ngre përsëri në këmbë e
të jep guxim. Çdo ditë jemi të thirrur të bëhemi ledhatim i Zotit për ata, që ndoshta
nuk nuk i kanë harruar përkëdheljet e para; e edhe për ata, që nuk e kanë provuar
kurrë ç’do të thotë përkëdheli. Ju jeni këtu për Selinë e Shenjtë, këtu në Romë, përkëdhelja
e Zotit. Shumë faleminderit”. Në vijim Papa i nxiti anëtarët e Rrethit
të Shën Pjetrit të jenë shenjë e dukshme e dashurisë së Krishtit për ata, që kanë
nevoja materiale e shpirtërore, ashtu edhe për shtegtarët, që rrajnë drejt Romës nga
të katër anët e botës. Një falënderim i veçantë, për Obolin apo Lëmoshën e Shën
Pjetrit, që Rrethi e mbledh vit për vit në Kishat e Romës, duke e ndihmuar drejtpërdrejt
Papën në veprimtarinë bamirëse për nevojtarët e këtij qyteti: “Ju inkurajoj
ta vijoni këtë veprimtari, duke e nxënë dashurinë për vëllezërit në shkollën e mëshirës
hyjnore, përmes lutjes e dëgjimit të fjalës së Zotit”. Në përfundim të
audiencës, Ati i Shenjtë ia besoi anëtarët e Rrethit dhe familjarët e tyre Zojës Shpëtimtare
e Popujve Romakë si dhe ndërmjetësimit të Shën Pjetrit e Shën Palit. Kujtojmë se
në krye të këtij takimi, Papën e përshëndeti Kryetari i përgjithshëm, duka Leopoldo
Torlonia e se Rrethi mbledh atë, që më parë quhej “Lëmosha e Shën Pjetrit” e sot quhet
“Lëmosha për bamirësinë e Papës”. Rreth 200 anëtarët mbledhin çdo vit lëmoshë në
katër bazilikat papnore të Romës. Këtyre u shtohen ofertat e famullive e pastaj, shuma
i jepet Atit të Shenjtë gjatë audiencës së përvitshme me Rrethin e Shën Pjetrit.