2013-10-31 17:56:11

Kardinali Tërkson në Jeruzalem për 50-vjetorin e Pacem in terris


Paqja, në kuptimin e plotë të fjalës, nuk është thjesht mungesa e luftës, por mbrojtja e dinjitetit dhe e të drejtave të personit njerëzor . Kështu e përshkruan paqen enciklika Pacem in terris, firmosur nga Gjoni XXXIII para pesëdhjetë vjetësh. Këtu e vuri theksin sot paradite Kardinali Piter Tërkson, kryetari i Këshillit Papnor Drejtësi e Paqe, gjatë një Lectio magistralis në Jeruzalem, pranë Fakultetit të teologjisë së Universitetit Salezian. “Dinjiteti dhe të drejtat e njeriut, - tha Kardinali Tërkson – janë përparësia, që duhet të ketë shoqëria, dhe është e nevojshme të njihen, të respektohen, të mbrohen e të zbatohen nga vetë shoqëria”, sepse “atje ku drejtësia rregullon marrëdhëniet njerëzore dhe prek dinjitetin e secilit, atje mbizotëron paqja”. Gjatë kësaj kumtese, Kardinali solli ndër mend se titulli i kësaj Enciklike i referohet Ungjillit sipas Lukës, ku shkruhet: “Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë!”, që do të thotë se “paqja është dhuratë e Hyjit për të gjithë njerëzit, sepse Hyji i do të gjithë, dhe se kjo dhuratë bëhet realitet vetëm për ata që pranojnë dhe respektojnë çfarë ka caktuar Hyji”. Kardinali kujtoi se antropologjia e krishterë është e themeluar mbi marrëdhënien, që është përmasa kryesore e njeriut e rrafshi ku përcaktohen të drejtat e detyrat. Njeriu, si i tillë, mund të vendosë të zgjedhë të mirën ose të keqen. Nëse konflikti lind nga njerëzit, është e vërtetë edhe se edhe paqja mund të burojë nga njerëzit.
Kardinali Tërkson u ndalua hollësisht tek çdo kapitull i enciklikës së Papës Ronkali e vuri në dukje disa koncepte bazë, si nevoja për zhdukjen e diskriminimit mes njerëzve; mbrojtja e lirisë; mirëbesimi mes shteteve, që kërkon zbatimin e traktateve ndërkombëtare, ndalimin e korrupsionit, respektimin e ligjit dhe sanksionet e duhura në rast shkeljeje.
Duke folur për objektivat e Universitetit Salezian, prelati i lartë renditi tri veçoritë e edukimit katolik: duhet të jetë i njësishëm, pra duhet ta shembë murin që ndan fenë nga jeta; duhet të jetë i kontekstualizuar, sepse “të gjithë besimtarët e kanë për detyrë të marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën publike, të ndihmojnë në rrafshin politik e ta mbështesin familjen njerëzore për të realizuar të mirën e përbashkët”; duhet të synojë bashkëpunimin edhe me jokatolikët e jobesimtarët, duke dialoguar me ta në fushën ekonomike, sociale e politike.
Në përfundim të kumtesës, Kardinali foli për ngjashmërinë që ka Papa Fraçesku me Papën Gjoni XXXIII.
Nesër do të jetë i pranishëm në veprimtarinë që ka organizuar shoqata “Rrënjët e paqes” për sensibilizimin e shoqërisë në lidhje me nevojën e pastrimit të territorit nga minat. Këto veprimtari do të zhvillohen pranë vendit të Pagëzimit të Jezusit përgjatë lumit Jordan dhe në një fshat afër Betlehemit.








All the contents on this site are copyrighted ©.