Thirrje e Papës për paqe në Irak. Kardinali Toran jep njoftimin për krijimin e komitetit
ndërfetar
Në audiencën e sotme të përgjithshme, pas katekizmit, Papa bëri thirrje për paqen
në Irak, duke përshëndetur një delegacion zyrtarësh irakianë, me përfaqësues të grupeve
të ndryshme fetare. Sapo kishin dalë nga takimi, organizuar nga Këshilli Papnor për
Dialogun Ndërfetar me punonjës të Ministrisë irakiane për Çështjet Fetare: shiitë,
sunitë, të krishterë, jazidë e sabeas.
Jeni pasuria
e vendit, nënvizoi Papa Françesku, duke iu drejtuar përfaqësuesve fetarë irakianë,
të shoqëruar nga kardinali Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar
e organizator i këtij takimi të parë të njerëzve me besojma të ndryshme fetare. Prej
një vendi ku nuk ka paqe, ndonëse kanë kaluar më se 10 vjet nga fillimi i të ashtuquajturës
‘lufta e dytë e Gjirit”, që shkaktoi rreth 150 mijë të vdekur, 1 milion refugjatë,
ikjen e gjysmës së të krishterëve, rreth 500 mijë vetë. Ja edhe thirrja e Papës: “Ju
ftoj të luteni për kombin e dashur irakian, të tronditur ditë për ditë nga ngjarje
tragjike dhune, që të gjejë rrugën e pajtimit, të paqes, të unitetit e të stabilitetit”. E
një përshëndetje të posaçme Ati i Shenjtë ua drejtoi edhe shtegtarëve irakianë, të
pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit: “Kur ndjeni pasiguri, përhumbje e
deri dyshime në udhën e fesë, përpiquni t’ia besoni veten ndihmës së Zotit përmes
lutjes bijnore e, njëkohësisht, të gjeni guximin dhe përvujtërinë për t’ia hapur zemrën
tjetrit. Sa gjë e bukur është ta ndihmoni njëri-tjetrin në aventurën mahnitëse të
fesë! Zoti ju bekoftë!”.
Po cilat janë qëllimet dhe arritjet e takimit
të përfaqësuesve fetarë irakianë, që përfundoi sot paradite me një deklaratë të përbashkët?
Pyetëm kardinalin Zhan-Lui Toran:
Përgjigje: - Takimi
kishte për qëllim kryesor krijimin e një Komiteti, ende pa emër, për dialogun ndërfetar,
një strukture, që të takohet rregullisht, në mënyrë që të japë ndihmesë në rikrijimin
e harmonisë, për të cilën ka kaq shumë nevojë ky vend. Prandaj mund të themi se është
diçka tepër e rëndësishme. E do të botojmë edhe një komunikatë, në të cilën flitet
për lindjen e kësaj strukture të re të dialogut, duke shpresuar se kështu do të kuptohet
se dialogu ndërfetar është në shërbim të mbarë shoqërisë. Ndihmon për të harmonizuar
gjithçka, që kanë të përbashkët myslimanë e të krishterë e për ta vënë në shërbim
të shoqërisë. Feja nuk është gjë, që të kall frikë; feja është pasuri.
Pyetje:
- Prej këndej, mund ta quajmë një lloj “komiteti i të urtëve’. Diçka për atmosferën,
në të cilën biseduan këta të urtë?
Përgjigje: - Atmosferë
përzemërsie e miqësie të madhe. Nuk patëm asnjë problem për hartimin e komunikatës
përfundimtare. Besoj se kjo ngjall shpresa të reja.
Pyetje: - Pikat
kryesore të komunikatës?
Përgjigje: - Do të jetë, para së
gjithash, këmbëngulja mbi vlerat e përbashkëta që kemi, domethënë mbi familjen, shkollën,
drejtësinë, paqen, e pastaj edhe krijimi i kësaj strukture dialogu, që do të takohet
vazhdimisht, një vit në Romë, tjetrin në Irak.
Pyetje: - Ky komitet
do të ketë, pastaj, mundësi edhe të ndërmjetësojë e të dialogojë me autoritetet politike
e institucionale?
Përgjigje: - Jo, kjo është tjetër gjë: mbetet
si strukturë dialogu ndërfetar e jo politik.
Pyetje: - E dimë se
bashkësia e krishterë ka vuajtur tepër e se ëshë përgjysmuar në këto dhjetë vjet.
A u fol edhe për këtë?
Përgjigje: - Po, folëm edhe për këtë.
Por ata thonë - e këtë ma përsëriti disa herë kryetari i delegacionit - se të gjitha
këto atentate nuk janë bërë nga irakianët, por nga mercenarët. Ata thonë: “Ne nuk
kemi kurrfarë problemi me të krishterët. Kemi jetuar një jetë të tërë bashkë”. Ngulmojnë
fort mbi faktin se dhuna nuk është vepër e irakianëve. Dhuna është e importuar.
Pyetje:
- Pra u dashka punuar kryesisht për paqtimin e shpirtit të kësaj popullsie, kaq
të munduar vite me radhë….
Përgjigje: - Sigurisht. Sigurisht.
Ç’ mund të bëjmë, në se nuk ka miqësi e respekt? Asgjë