2013-10-30 13:11:00

Thirrje e Papës për paqe e unitet në Irak


Në audiencën e sotme të përgjithshme, pas katekizmit, Papa bëri thirrje për paqe në Irak:“Ju ftoj të luteni për kombin e dashur irakian, të tronditur ditë për ditë nga ngjarje tragjike dhune, që të gjejë rrugën e pajtimit, të paqes, të unitetit e të stabilitetit”.
Duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës arabe e, posaçërisht, të ardhurit nga Iraku, Ati i Shenjtë tha:
“Kur ndjeni pasiguri, përhumbje e deri dyshime në udhën e fesë, përpiquni t’ia besoni veten ndihmës së Zotit përmes lutjes bijnore e, njëkohësisht, të gjeni guximin dhe përvujtërinë për t’ia hapur zemrën tjetrit. Sa gjë e bukur është ta ndihmoni njëri-tjetrin në aventurën mahnitëse të fesë! Zoti ju bekoftë!”.
Pas audiencës së përgjithshme, Papa Françesku përshëndeti një delegacion zyrtarësh irakianë, me përfaqësues të grupeve të ndryshme fetare, që përbëjnë pasurinë e vendit. Shoqërohej nga kardinali Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.









All the contents on this site are copyrighted ©.