Papa në audiencën e përgjithshme: bashkimi me Zotin e me njëri-tjetrin ndihmon për
kapërcimin e dyshimeve e pasigurive
“Bashkimi ndërmjet nesh na çon drejt bashkimit me Zotin”: është një nga pohimet e
forta të Papës, në katekizmin e sotëm, mbajtur gjatë audiencës së përgjithshme në
Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar bashkësisë së shenjtorëve. Të gjithë, tha Papa, i
kemi provuar kufizimet, pasiguritë, madje edhe dyshimet në udhën e fesë. E megjithatë,
theksoi, nuk duhet të trembemi, por të besojmë gjithnjë në ndihmën e Zotit e të të
afërmit.
Nuk jemi vetëm,
bëjmë pjesë në një bashkësi jete me të gjithë ata, që i përkasin Krishtit. Papa Françesku
e nisi kështu katekizmin, kushtuar temës ‘bashkësia e shenjtorëve”. Një realitet i
fesë sonë nga më ngushëlluesit, sqaroi. E në vijim kujtoi se të krishterët e parë
quheshin edhe shenjtorë. Por cilat janë tiparet e kësaj shoqërie shenjtorësh, të këtij
bashkimi në Kishë: “Kisha, në të vërtetën e vet më të thellë, është bashkim
me Hyjin, familjaritet me Zotin, bashkim dashurie me Krishtin e me Atin në Shpirtin
Shenjt, që shtrihet, pastaj, edhe në një bashkim vëllazëror. Kjo lidhje ndërmjet Jezusit
e Atit është burim i lidhjes ndërmjet nesh, të krishterëve”. Nëse e shuajmë
etjen në këtë burim, vijoi Papa, atëherë mund të bëhemi me të vërtetë një zemër e
vetme e një shpirt i vetëm, sepse dashuria e Zotit i bën shkrumb e hi egoizmat tona,
paragjykimet tona, e edhe mëkatet tona. E nëse rrimë gjithnjë pranë burimit të Dashurisë,
që është Zoti, atëherë vërehet edhe lëvizja reciproke: nga vëllezërit, tek Zoti: “Bashkimi
ndërmjet nesh na prin drejt bashkimit me Zotin, drejt lidhjes me Hyjin, që është Ati
ynë. Feja jonë ka nevojë për mbështetjen e të tjerëve, posaçërisht në çaste të vështira.
E nëse ne jemi të bashkuar, feja forcohet. Sa gjë e bukur është ta mbështesim njëri-
tjetrin në aventurën mahnitëse të fesë”. E them këtë, shpjegoi Papa, sepse
prirja për t’u mbyllur në jetën private ndikon edhe mbi mjediset fetare, e kështu
shumë herë na duket e vështirë t’u kërkojmë ndihmë shpirtërore atyre, që praktikojnë,
ashtu si ne, të njëjtën fe, fenë në Krishtin: “Kush nga ne - të gjithë,
të gjithë! - kush nga ne nuk e ka provuar pasigurinë, përhumbjen, e deri dyshimin
në udhën e fesë? Të gjithë! Të gjithë e kemi provuar këtë. Edhe unë! Të gjithë. Bën
pjesë në udhën e fesë, në vetë jetën tonë. E prandaj nuk duhet të na çudisë, sepse
jemi njerëz, me mish e gjak, me brishtësi e kufizime. Të gjithë jemi të ligshtë, të
gjithë me kufizime: të mos trembemi, prandaj. Të gjithë jemi në të njëjtën rrugë”. Gjithsesi,
në këto çaste të vështira, i këshilloi Papa besimtarët, është e nevojshme të mbështetemi
në ndihmën e Zotit, duke u lutur, si i lutet biri atit; e njëkohësisht, ka rëndësi
të marrim guximin e të kemi përvujtërinë t’ia hapim zemrën tjetrit, për të kërkuar
ndihmë, për të ndjerë një dorë, që shtrëngon fort tonën, për të mos e humbur udhën: “Ma
jep dorën, kam këtë problem. Sa herë kemi kërkuar një dorë? Për ta zgjidhur, pastaj,
problemin e për ta takuar edhe një herë Zotin? Në këtë shoqëri, që ka kuptimin e 'bashkimit
të fuqive', në këtë bashkim ne, të gjithë, jemi një familje e madhe, në të cilën
anëtarët e ndihmojnë dhe e mbështesin njëri-tjetrin”. Kështu u shpreh Papa,
e pastaj u ndal tek një bashkim tjetër, që i kapërcen kufijtë e jetës tokësore, i
bën ballë kohës, shkon përtej vdekjes. Bashkim përgjithmonë. Ky bashkim ndërmjet nesh,
tha Papa, vijon edhe në jetën tjetër. Vdekja nuk ka pushtet mbi të. Për virtyt të
Krishtit të ngjallur, gjen plotninë e vet në jetën e amshuar. Kujtimi i fesë,
shtoi, është një nga realitetet tona, që na bën vëllezër, na shoqëron në udhën e jetës,
deri tek caku: “Të ecim në këtë rrugë me besim, me gëzim. I krishteri
duhet të jetë gazmor, plot me gëzimin e njeriut, që ka shumë vëllezër të pagëzuar,
të cilët ecin me ne, ka ndihmën e shumë vëllezërve e motrave, që bëjnë të njëjtën
rrugë, për të shkuar në Qiell, e edhe të vëllezërve e motrave, që janë në Qiell e
i luten Jezusit për ne. Pëpara, pra, në këtë rrugë, e me gëzim!”. Në çastin
e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi Solemnitetin e gjithë Shenjtorëve,
me një urim të posaçëm për të rinjtë, të sëmurët e të posamartuarit: “Dëshmia
jonë e fesë e përforcoftë në shpirtin e secilit nga ju, të dashur të rinj, sigurinë
se Zoti ju shoqëron në udhën e jetës; ju ndihmoftë edhe ju, të dashur
të sëmurë, duke jua lehtësuar vuajtjen tuaj të përditshme; e qoftë
mbështetje për ju, të dashur bashkëshortë të rinj, për ta ndërtuar familjen mbi besimin
në Zotin!”.