2013-10-29 15:43:27

Konferencë ndërkombëtare mbi trafikun e qenieve njerëzore në Vatikan


Më 2-3 nëntor do të mbahet në Vatikan konferenca ndërkombëtare mbi trafikun e qenieve njerëzore, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore, së bashku me Federatën Botërore të Shoqatave Mjekësore Katolike.
Nismëtar i kësaj konference është vetë Papa Bergoglio, i cili, kur ishte Arqipeshkëv i Buenos Ajresit, çdo vit, që nga 23 shtatori 2008, ka kremtuar meshë në të njëjtën ditë, për viktimat e këtij trafiku të kobshëm, në Sheshin e Kushtetutës të Kryeqytetit argjentinas. Zgjedhja e datës 23 shtator lidhej me 23 shtatorin e vitit 1913, ditë në të cilën u miratua ligji i parë në Argjentinë kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve.
Për qytetarët e Buenos Ajresit, fjalët e Arqipeshkvit të tyre, që sot është Bariu i Kishës universale, ushtojnë ende fuqishëm: “Mos kini frikë të thoni të vërtetën, thoshte Bergoglio, edhe nëse dhemb. Ju ftoj ta ngremë zërin sot e t’i themi jo skllavërisë! Jo djemve dhe vajzave, që përdoren si mbeturina! Jo trupave, me të cilët po luhet, sepse janë trupat tanë, që po shiten, si të ishte në shitje trupi im, trupi yt. Buenos Ajresi ka harruar të qajë.” Në një tjetër predikim thoshte: “Sot, në këtë qytet, duam të ushtojë pyetja e Hyjit: ‘Ku është vëllai yt?’ T’i përshkojë kjo pyetje e Hyjit të gjitha lagjet e qytetit, ta pushtojë zemrën tonë. Dikush mund të pyesë: Cili vëlla? Ai që është skllav. Ai që ti po e vret çdo ditë në fabrikën klandestine, në rrjetin e prostitucionit, nëpër bandat e fëmijëve që i përdor për të lypur, për të shpërndarë drogë, për të vjedhur e për shfrytëzim seksual. Pyetja që duhet të shtrojmë është kjo: si ka mundësi që në këtë qytet është ngritur sistemi i trafikut njerëzor, ky krim mafioz e marramendës?”
Duke iu përgjigjur këtij shqetësimi të Papës, grupi i punës do të marrë në shqyrtim çështjen e trafikut të qenieve njerëzore dhe të skllavërisë moderne. Do të përcaktojë gjendjen reale dhe një plan veprimi për t’iu kundërvënë këtij krimi. Sot, për shembull, shkencat natyrore mund të japin instrumente të rinj, për të luftuar këtë formë të re të skllavërisë, si, për shembull, regjistri digjital për krahasimin e AND-së së fëmijëve të zhdukur dhe të paidentifikuar me atë të familjarëve që kanë bërë padinë për zhdukje.
Nisma e Papa Françeskut është në vijimësi të plotë me vëmendjen që edhe Papa Gjon Pali II i pati kushtuar këtij fenomeni të dhimbshëm. “Rritja alarmuese e trafikut të qenieve njerëzore, thoshte Papa Wojtila, është njëri nga problemet e ngutshme ekonomike, sociale e politike, që lidhen me procesin e globalizimit. Është një kërcënim i rëndë për sigurinë e secilit komb dhe një çështje e drejtësisë ndërkombëtare që nuk mund të shtyhet për më vonë”.
Sipas raportit të fundit mbi trafikun e qenieve njerëzore, OKB-ja ka filluar ta vërë re rritjen e këtij krimi vetëm në vitin 2000, kur po nxirrnin krye efektet e globalizimit, dhe ka përgatitur një Protokoll për Parandalimin, Ndalimin dhe Përndjekjen e Trafikut të Qenieve Njerëzore, veçanërisht të grave dhe fëmijëve. Këtë Protokoll e ka miratuar bashkë me Konventën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, të firmosur nga 117 anëtarë.
Sipas raportit të 2012, ndërmjet 2002 e 2010 Organizata Ndërkombëtare e Punës llogarit 20,9 milion viktima të punës me dhunë. Kjo shifër përfshin viktimat e trafikut të personave të përdorur për krahë pune e për shfrytëzim seksual. Viktimat e shfrytëzimit seksual janë 2 milionë çdo vit. Trafiku i organeve godet 20.000 persona, të cilëve, duke i mashtruar në mënyrat më të ndryshme, u hiqen në mënyrë të paligjshme një veshkë, pankreasi, mushkëria, kornea e deri edhe zemra. Është e vajtueshme, që në këtë veprimtari kriminale marrin pjesë edhe mjekë, që shkelin në mënyrë flagrante betimin e Hipokratit, i cili thotë: para së gjithash, mos bëni dëme. Këto shifra, megjithatë, janë vetëm maja e ajsbergut.
Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore dhe federata Botërore e Shoqatave Mjelkësore Katolike paraqet një model të krishterë, që shërben si figurë frymëzuese në angazhimin kundër këtyre skllavërie moderne. Është figura e Shën Pedro Klaverit, jezuiti katalanas, që në vitet 1600 i shihte skllevërit afrikanë në Amerikën Latine si vëllezërit e vet dhe nënshkruhej si Petrus Claver, shërbëtor i përhershëm i etiopasve. Ky shenjt i madh mishëron revolucionin e krishterë, të cilin grekët e romakët nuk e njihnin, por ka filluar me letrën e famshme të Shën Palit drejtuar Filemonit. Shën Pali i kërkon Filemonit ta mbajë Onesimon “jo më si skllav, por shumë më shumë se skllav, si vëlla fort të dashur”.
Viktimat e trafikut njerëzor të ditëve të sotme janë vëllezërie e motrat tona fort të dashur.








All the contents on this site are copyrighted ©.