2013-10-28 13:40:29

Kardinali Turan për festën e Deepavali-t: të krishterë e hinduistë, së bashku për të mirën e përbashkët të familjes njerëzore


“Të krishterë e hinduistë, përmes miqësisë e solidaritetit, mund të favorizojnë marrëdhëniet njerëzore në të mirë të krejt njerëzimit”: kështu shkruan kryetari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Zhan-Lyi Turan, në mesazhin për Festën e Deepavali-it, ndër më të lashtat e më të rrënjosurat e botës hinduiste. Këtë vit, ajo do të kremtohet të dielën e ardhshme, më 3 nëntor. Njihet si “festa e dritës”, për shkak të traditës së ndezjes së qirinjve, llambadheve e kandilave në çdo shtëpi, simbol i fitores të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të së mirës mbi të keqen, të jetës mbi vdekjen.
“Në këtë botë, ku mbizotëron konkurrenca, – shkruan kardinali Turan – ku rriten prirjet individualiste dhe materialiste, me pasoja negative në marrëdhëniet familjare e në gjithë shoqërinë, siguria dhe paqja në bashkësitë lokale, kombëtare e ndërkombëtare varen shumë nga cilësia e bashkëveprimit ndërmjet njerëzve… Sa më shumë t’i thellojmë marrëdhëniet tona, aq më shumë jemi në gjendje të bashkëpunojmë për arritjen e paqes, të solidaritetit e të harmonisë së vërtetë…Ne të gjithë – vazhdon prelati – i përkasim së njëjtës familje njerëzore, pavarësisht nga ndryshimet etnike, kulturore, fetare dhe ideologjike”.
Kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar vë në dukje gjendjen e sotme shoqërore, karakterizuar nga materializmi dhe nga përbuzja e vlerave shpirtërore e fetare. Ekziston prirja, denoncon kardinali Turan, për ta shndërruar edhe njeriun në send, duke e kthyer nga “dikush” në “diçka”, që mund të mbahet, ose të hidhet sipas dëshirës. Këto prirje sjellin një siguri të rreme për njerëzit, dhe ndihmojnë përjashtimin e mënjanimin e tyre, duke i lënë në krahët e indiferencës. Kultura e solidaritetit, shkruan në fund kardinali, që e konsideron tjetrin jo një numër, por një vëlla, është rezultat i përpjekjeve të të gjitha feve për të mirën e përbashkët.








All the contents on this site are copyrighted ©.