2013-10-27 14:18:34

Papa: familjet, të cilat luten së bashku, janë të forta e çojnë tek të gjithë gëzimin, që vjen nga Zoti


“Familja që e jeton gëzimin e fesë e komunikon atë spontanisht, është kripa e tokës dhe drita e botës, është tharmi i shoqërisë”. Me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku mëse 100 mijë besimtarëve, të mbledhur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, për meshën, që mbylli Ditën kushtuar familjes.RealAudioMP3
Kishin mbërritur herët në mëngjes mijëra familjet nga të gjitha anët e botës, të cilat u takuan edhe dje pasdite me Atin e Shenjtë. Që në orën 9, në sheshin para Bazilikës së Vatikanit, ishin të pranishëm rrëfyesit. Në orën 10.30 filloi mesha. Në njërën anë të elterit, fugurja e Familjes Shenjte, në anën tjetër, Paraqitja e Jezusit në Tempull. Leximet e kësaj së diele i dhanë Papës elementet për të nënvizuar tri karakteristika themelore të familjes: lutjen, fenë, gëzimin.
Familje, që luten: Ungjilli na tregon dy mënyra për t’u lutur, njëra e rreme, ajo e fariseut që e di veten për të drejtë dhe tjetra, shumë më e vërtetë, ajo e publikanit të vetëdijshëm për mëkatet e veta:
“Në dritën e kësaj Fjale, dua t’ju pyes juve, të dashura familje: a luteni ndonjëherë në familje? Ndokush po, e di. Por shumë më thonë: e si bëhet kjo? Bëhet, siç bëri publikani, është e qartë: me përvuajtëri, para Zotit. Secili, me përvuajtëri, e lë veten ta shohë Zoti e i lutet të jetë i mirë me të, të vijë tek ne. Por, në familje, si i bëhet? Sepse duket sikur lutja është diçka personale e, pastaj, nuk gjejmë kurrë çastin e përshtatshëm, qetësinë, në familje… Po, është e vërtetë, por është edhe çështje përvuajtërie, ta kuptojmë se kemi nevojë për Zotin, ashtu si publikani! Të gjitha familjet kanë nevojë për Hyjin: të gjitha, të gjitha! Kemi nevojë për ndihmën e Tij, për forcën e Tij, për bekimin e Tij, për mëshirën e Tij, për faljen e Tij. E na duhet thjeshtësia: për t’u lutur në familje, duhet thjeshtësi! Të lusim së bashku “Atynën”, rreth tryezës, nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme: është e lehtë. E të themi së bashku Rruzaren, në familje, është gjë shumë e bukur, na jep shumë forcë! E të lutemi edhe njëri për tjetrin: burri për gruan, gruaja për burrin, të dy bashkë për bijtë, bijtë për prindërit, për gjyshërit… Të lutemi njëri për tjetrin. Kjo është lutja në familje, e kjo e bën të fortë familjen: lutja”.
Familja ruan fenë, vazhdoi Papa, duke komentuar Leximin e dytë të liturgjisë së sotme, që propozon shembullin e Shën Palit Apostull, i cili në perëndim të jetës, thotë për vetveten: “E kam ruajtur fenë”. Por, vërejti Ati i Shenjtë, nuk e ka ruajtur në ndonjë kasafortë e as nën tokë. Jeta e tij qe betejë e garë. Shën Pali, jo vetëm e mbrojti fenë, por edhe e dhuroi atë, prandaj vendimet e tij ishin të guximshme, shkoi në territore armiqësore, lejoi ta provokonin njerëz të largët, me kultura të ndryshme, foli me sinqeritet e pa frikë:
“Edhe këtu, mund të pyesim: si e ruajmë ne vetë fenë? E mbajmë për vete, brenda familjes, si pronë private, apo dimë ta ndajmë me të tjerët me anë të dëshmisë, mikpritjes, duke ua hapur zemrën të tjerëve? Familjet e krishtera janë familje misionare… Janë misionare edhe në jetën e përditshme, duke bërë gjëra të zakonshme, por duke hedhur në gjithçka kripën dhe tharmin e fesë! Ta ruash fenë në familje, do të thotë të hedhësh kripën e tharmin e fesë në gjërat e përditshme”.
Familja e jeton gëzimin – ishte karakteristika e tretë e familjes, që përmendi Papa Bergolio. Ju e dini, u tha të pranishmëve, se gëzimi i vërtetë nuk është sa për sy e faqe, nuk vjen nga sendet, që zotërojmë:
“Eh… do të më pëlqente t’ju bëja një pyetje sot. Secili ta mbajë në zemër, ta çojë në shtëpi, si të ishte detyrë shtëpie. E përgjigjen, secili ta gjejë vetë. Sa gëzim ka shtëpia jote? Sa gëzim ka familja jote? Ju jepjani vetes këtë përgjigje”.
Gëzimi i vërtetë, vazhdoi Papa, vjen nga harmonia e thellë ndërmjet njerëzve, që të gjithë e ndjejnë në zemër, që na bën ta jetojmë bukurinë e të qenit bashkë, të mbështetjes tek njëri-tjetri në udhën e jetës:
“Në bazën e kësaj ndjenje gëzimi të thellë është prania e Zotit në familje, është dashuria e Tij mikpritëse, e mëshirshme, që respekton të gjithë. E sidomos, është një dashuri plot durim: durimi është virtyt i Hyjit e na mëson ta duam me durim njëri-tjetrin, në familje. Të kemi durim për njëri-tjetrin”.
Familja, që e jeton gëzimin e fesë, përfundoi Papa Françesku, e komunikon atë spontanisht, është kripa e tokës dhe drita e botës, është tharmi i shoqërisë. Në mbyllje të kremtimit të sotëm, Ati i Shenjtë u lut para fugures së Familjes Shenjte, duke i kërkuar të na e bëjë të dukshme veprën e Provanisë Hyjnore në jetën tonë të përditshme, t’i shndërrojë familjet në kisha shtëpiake, duke ua shtuar dëshirën e impenjimin për shenjtërimin e jetës:
“O Familje Shenjte e Nazaretit,
ringjalle në shoqërinë tonë, vetëdijen
për karakterin e shenjtë e të padhunueshëm të familjes,
pasuri e paçmuar dhe e pazëvendësueshme.
Çdo familje të jetë banesë mikpritëse e mirësisë dhe e paqes”.
Para Lutjes së Engjëllit të Tënzot, thënë në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa përshëndeti e falenderoi të gjithë shtegtarët e familjet e botës, duke kërkuar mbrojtjen e Zojës për to. Përshëndeti gjithashtu edhe ipeshkvijtë e besimtarët e Guinesë Ekuatoriale, ardhur në Romë me rastin e ratifikimit të Marrëveshjes me Selinë e Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.