2013-10-24 15:58:23

Libri i Papa Françeskut: Homelitë e mëngjesit


Shtëpia botuese e Vatikanit boton vëllimin me titullin Homelitë e mëngjesit, që përmbledh homelitë e Papa Françeskut gjatë meshëve të mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës nga 22 marsi deri më 6 korrik 2013, bashkë me tri homelitë e dhëna në rezidencën e Sumaresë, në Rio de Zhaneiro, gjatë udhëtimit apostolik për DBR.
Vëllimi është pjesë e serisë “Fjalët e Papa Françeskut”, ku bëjnë pjesë tashmë katër vepra: Ju kërkoj të luteni për mua, Mos lejoni t’ju vjedhin shpresën, Gëzimi i ungjillëzimit, Është bukur që jemi këtu.
Në parathënien e këtij vëllimi, teologu italian Inos Bifi nënvizon përmbajtjen e pasur dhe stilin origjinal të ligjërimit të Papës. Gjuha e Papës është e thjeshtë e njëkohësisht plot jetë, plot metafora e figura. Predikimet e tij i bëjnë për vete dëgjuesit, ai hyn në bashkëbisedim me ta dhe fjalët e Tij prekin jetën e tyre të përditshme e sjellin brenda saj dritën e Ungjillit.
Biffi e vlerëson vëllimin si “Prijës të çmueshëm të jetës shpirtërore”. Në libër vihet re “një përvojë e rrallë në thellimin shpirtëror e në shqyrtimin psikologjik”, dhe del në pah familjariteti i Papës me situatat njerëzore dhe njohja që ka për jetën e individëve dhe të shoqërisë.
Vepra është një ftesë për të reflektuar mbi tema të ndryshme, që prekin jetën e Kishës dhe të botës, dhe një burim i çmueshëm këshillash dhe udhëzimesh.








All the contents on this site are copyrighted ©.