2013-10-23 14:33:15

Imzot Çullikat: mbështesim bisedimet izraelito-palestineze dhe mbledhjen “Gjeneva 2” për Sirinë


Selia e Shenjtë i sheh me shpresë bisedimet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Kështu theksoi dje në debatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Lindjen e Mesme, kryeipeshkvi Frensis Çullikat. Vëzhguesi i Përhershëm i Vatikanit në Pallatin e Qelqit uroi gjithashtu që Konferenca “Gjeneva 2” të ndihmojë për të sjellë paqen në Siri. Nga prelati edhe një thirrje e fuqishme për ta çliruar botën nga armatimet bërthamore.
Është çast i rëndësishëm për popujt e Lindjes së Mesme. Pas fillimit të negociatave ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, Selia e Shenjtë shpreson në një impenjim më serioz e më konkret në procesin e paqes. Imzot Çullikat u kërkoi palëve të ulin armët, për të qenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje politike në Konferencën “Gjeneva 2”, e cila do të mbahet muajin e ardhshëm. Nuk harroi të vërë në dukje gjendjen në Siri, ku aktualisht, ndodhen rreth 4 milion të shpërngulur brenda vendit e mëse 2 milion refugjatë jashtë kufijve. Edhe të krishterët detyrohen të ikin, duke lënë pas 2 mijë vjet histori të pandashme nga kultura e fesë. Është e papranueshme, denoncoi ai, që të përsëritet ç’ndodhi në Irak, ku dhuna sektare e pakësoi popullsinë e krishterë me 70%.
Kisha Katolike është gjithnjë në vijën e parë të ndihmës për refugjatët e luftës në Siri. Pikërisht kjo ndihmë kuantifikohet sot në një komunikatë të Këshillit Papnor “Cor Unum”, sipas së cilës, nga viti 2011 e deri më 9 tetorin e këtij viti,organizatat humanitare katolike kanë shpenzuar 72 milion dollarë në favor të popullsisë. Në terriror, këto fonde janë përdorur nga 55 ente e 32 institucione katolike, për të ndihmuar njerëzit në 20 qytete të Sirisë, por edhe refugjatët në Liban, Jordani, Turqi, Irak, Qipro dhe Egjipt.
Deri në qershor, kur pas interesimit të Papës Françesku, “Cor Unum” koordinoi më mirë punën e organizatave, vështirësia në mbledhjen e informacionit nga vendi, ka sjellë shpërndarjen sporadike të ndihmave dhe paralelizma të padobishme. Tani, Kisha ka një zyrë koordinimi, e cila varet nga Karitasi i Lindjes së Mesme dhe i Afrikës Veriore, me seli në Bejrut. Kjo zyrë ka për detyrë mbledhjen e informacionit, kontrollin e ndihmave dhe natyrisht, koordinimin e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.