Imzot Çullikat kundër Komitetit të OKB-së për të drejtat e fëmijëve: të garantohet
gjithnjë e drejta për të lindur
Çdo fëmije i duhet garantuar e drejta të lindë e shteti duhet të bëjë ç’është e mundur
për të mbështetur prindërit në rritjen e bijve, në liri e me dinjitet. Ky është mendimi
i shprehur nga Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Frensis Çullikat
para Komitetit për nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Nju Jork. Prelati
kritikoi qëndrimin e Komitetit, i cili e ka interpretuar gabim Konventën për të drejtat
e fëmijës. Së pari, vëren imzot Çullikat, fetusi i palindur akoma është anëtar i familjes
njerëzore e nuk i përket asnjë nënkategorie, prandaj çdo fëmije i duhet garantuar
e drejta të lindë, pa diskriminime me bazë seksin, aftësitë e kufizuara, ose politikat
e diktuara nga eugjenetika. Në tekstin e Komitetit pranohet diagnoza para lindjes
për të vendosur nëse fëmija duhet të vijë në jetë, krejt në kundërshtim me vetë Konventën. Vëzhguesi
i Vatikanit u bën thirrje shteteve t’i ndihmojnë prindërit në rritjen e fëmijëve,
duke u dhënë atyre mundësi e mjete për zhvillimin e tyre normal fizik, moral e shoqëror,
në kushte lirie e dinjiteti, edhe kur kanë fëmijë me probleme të çdo lloji. Pra, mbrojtja
e përgjegjësisë dhe e autonomisë së familjes, është udha për të mbrojtur edhe të drejtat
e fëmijëve. Imzot Çullikat kundërshton me vendosmëri përdorimin e padrejtë, që
i bën Komitet, shprehjeve si “orientim seksual” dhe “identitet gjinor”; rekomandimet,
që u jep shteteve për t’u dhënë fëmijëve edukim mbi shëndetin seksual, kontraceptivët
dhe të ashtuquajturin “abort i sigurtë”, pa miratimin e prindërve; promovimin e abortit
si mjet planifikimi familjar dhe vendosjen e shërbimeve në këtë fushë pa marrë parasysh
ndërgjegjen e veprimtarëve të shëndetësisë. “Këto rekomandime – denoncon prelati –
janë veçanërisht të kritikueshme. Asnjë abort nuk është kurrë i sigurtë, sepse vret
një fëmijë dhe dëmton të ëmën”. Që këtej, thirrja e imzot Çullikatit për respektimin
e një Konvente, si ajo për të drejtat e fëmijës, nga më të ratifikuarat, por edhe
nga më të interpretuarat gabim.