2013-10-21 15:13:45

“Unaza e Katit”, për Nevila Nikën


Laureate e çmimit vjetor “Unaza e Katit”, të edicionit të 42-të të manifestit “Takimet e Gjeçovit” është drejtoresha e Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, Nevila Nika. Në këtë ngjarje kulturore, letrare e shkencore morën pjesë një numër i madh krijuesish. Organizatorët e falënderuan drejtoreshën Nika për zbulimin dhe sigurimin e materialit për botimin e “Abetares së Zymit 1900” së bashku me famulltarin Don Ndue Ballabani. “Unë, gjysmë jam nga Kosova dhe gjysmë nga Shqipëria. Prindërit e mi në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, arritën ta realizojnë urën e bashkimit, të cilën shumë individë u munduan ta rrënojnë. Unë jam rritur duke dëgjuar histori për Kosovën. Kjo tokë e lashtë ka dhënë shumë. Shpesh na është thënë se ne kemi luftuar vetëm me armë. Jo. Ne kemi ditur të luftojmë edhe me libër. Këtu u përmend Nënë Tereza dhe At Shtjefën Gjeçovi, miku më i ngushtë i At Gjergj Fishtës që i këndoi aq bukur këtij vendi arbëror. Vërtet më keni bërë nder që më keni dhuruar këtë çmim kaq madhështor”, – tha Nika. Në edicionin e 42-të të këtij manifestimi, një tribunë e veçantë iu kushtua shënimit të 90-vjetorit të lindjes së artistes së madhe shqiptare Katerina Josipi, e cila gjatë 21 vjetëve sa punoi në Teatrin Profesional të Prishtinës luajti përkrah artistëve të mëdhenj si, Bekim Fehmiu, Nexhmije Pagarusha, Muharrem Qena Hyrie Hana, Isref Begolli etj.
(nga shekulli.com)







All the contents on this site are copyrighted ©.