2013-10-21 13:58:06

Martin Camaj i papërsëritshëm, në një dokumentar të ri


Pa shkelur më kurrë në vendlindje, pas ikjes larg atdheut, Martin Camaj vijon t’u kujtojë bashkatdhetarëve se është mes tyre, i gjallë, me veprën e vet të pashoqe, tashmë të botuar plotësisht. E këtë fillim nëntori, praninë e tij të përhershme në majë të Panteonit të letrave shqipe, do ta kujtojë edhe një dokumentar, titulluar “Martin Camaj i papërsëritshëm”. Është vlerësim i ri për këtë personalitet të kulturës shqiptare, që krijoi kryevepra, në vetmi të thellë. Vepra e re kinematografike, që e shikon Camajn si një prej shkrimtarëve më në zë të mërgatës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, u realizua nga Radio Televizioni Shqiptar dhe Drejtoria e Programeve Satelitore, në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi” dhe Shoqatën atdhetare “Dukagjini”.
Skenari është i Tefta Radit, me konsulencë të prof. dr. Bardhyl Demirajt, kamera të Agim Kurit, montazh të Ermal Bardhit, formulim muzikor të Kozeta Raftit e miksazh të Ermal Bardhit.
Dokumentari, jashtëzakonisht serioz dhe profesional për të madhin Martin Camaj, do shfaqet në sallën "UNESCO" të Muzeut Historik Kombëtar, më 1 nëntor, në orën 18 dhe me 2 nëntor, në Sallën e Rektoratit të Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër. Në emër të Shoqatës "Martin Camaj", që e mbështeti prodhimin e dokumentarit, ftohen të gjithë miq të letërsisë dhe kulturës shqiptare!










All the contents on this site are copyrighted ©.