2013-10-20 12:31:24

Toka e Shenjtë: më 17 nëntor, në Nazaret, përfundimi i Vitit të Fesë


Priten 10 mijë besimtarë, vendas e shtegtarë, në Meshën, që do të kremtohet në Nazaret, më 17 nëntor 2013, në përfundim të Vitit të Fesë në Tokën e Shenjtë. Seli e posaçme e ngjarjes do të jetë Mali i Humnerës, ku kremtoi edhe Benedikti XVI më 14 maj 2009, gjatë shtegtimit të tij në Tokën e Shenjtë. Sipas njoftimit të Tzivi Lotan, këshilltar për Çështjet turistike pranë ambasadës së Izraelit në Romë, me këtë nismë forcohet bashkëpunimi i Izraelit me Kishën katolike e, në mënyrë të veçantë, me atë të Tokës së Shenjtë, parë, kjo, edhe në dritën e marrëdhënieve të ngushta me Patriarkanën latine të Jeruzalemit”. Veprimtaritë e datës 17 nëntor do të nisin në orën 9.00 të mëngjesit, me një çast festiv, me pjesëmarrjen e koreve të krishtera të Tokës së Shenjtë, ndërsa në orën 11.00, patriku latin, imzot Fuad Tual, do të kryesojë Meshën, bashkëkremtuar me imzot Rino Fizikelën, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri. Pas kremtimit, do të rifillojë festa, në të cilën do të përfshihet edhe qendra e qytetit, ku shumë monumente e shenjtërore do të rrinë hapur gjithë ditën, me mundësinë për t’u vizituar falas. Është parashikuar edhe sigurimi i lejeve për të hyrë në Izrael, lëshuar të krishterëve, që do të vijnë nga territoret palestineze, e për ata që dëshirojnë, edhe nga Libani, duke kaluar përmes Jordanisë. Ndërmjet besimtarëve të pranishëm, nuk do të mungojnë italianët. E konfirmon këtë imzot Mario Lusek, drejtor i zyrës së Konferencës ipeshkvnore italiane për baritorinë e kohës së lirë, turizmit e sportit: “Në Nazaret do të jenë grupe të ndryshme, ndërmjet të cilave, Unitalsi", pohoi.
Shtegtimet, që kanë vijuar pa ndërpreë gjatë gjithë Vitit të Fesë, do të jenë shenjë e afërsisë së kishave në botë, edhe asaj të trojeve shqiptare që, përmes françeskanëve, vijon të marrë rrugën e gjatë drejt Kalvarit.








All the contents on this site are copyrighted ©.