2013-10-20 17:21:43

Siri: të paktën 31, viktimat e një autobombe në Hama. Më 23 nëntor nis ‘Gjeneva 2’


Sot paradite në Siri u vranë së paku 31 vetë nga shpërthimi i një autobombe, në qytetin Hama, kontrolluar nga forcat qeveritare. Ndërkaq sekretari i Lidhjes Arabe, Nabil al-Arabi, zyrtarizoi njoftimin, sipas të cilit Konferenca Ndërkombëtare e Paqes për Sirinë, e njohur si “Gjeneva 2”, do të mbahet më 23 nëntor. Njoftimi u dha sot paradite në Kairo, ku numri 1 i Lidhjes Arabe u takua me emisarin e bashkësisë ndërkombëtare, Lakhdar Brahimi, i cili ndërkaq paralajmëroi se nuk do të ketë kurrfarë takimi për paqen, në mungesë të një opozite të besueshme siriane. E kjo është edhe vështirësia më e madhe në fazën përgatitore të takimit të rangut të lartë. Do ta drejtojë vetë Brahimi, i cili u nis për në Katar e në Turqi, dy vende, që mbështesin frontin kundër Asadit. Më pas do të shkojë në Iran, që mbështet regjimin e Damaskut. E akoma, në Siri. E në fund, në Gjenevë, për të takuar përsëri përfaqësuesit rusë e amerikanë. E gjithë kjo veprimtari, ndërsa në terren dhuna vijon pa pushuar asnjë çast. Gjatë ditës së sotme, dhjetra vetë gjetën vdekjen në qytetin Hama, ndërsa nuk kishin pushuar ende ndeshjet e përgjakshme në lagjet e jashtme të kryeqytetit, të cilin rebelët duan ta shkëpusin nga kontrolli i ushtarëve të Asadit. Rrethimi i Damaskut mban të ngujuar prej kohe mijëra civilë, pa folur këtu për kushtet dramatike të jetës së popullsisë së qyteteve të tjera. Prandaj OKB-ja bëri një thirrje të re për t’i dhënë fund zjarrit e për të hapur sa më shpejt një korridor humanitar.










All the contents on this site are copyrighted ©.