2013-10-19 13:40:37

U lartua në nderimet e elterit, Stefano Sàndor. Intervistë e Radios sonë me kardinalin Anxhelo Amato


Në Budapest të Hungarisë, u kremtua një Meshë me ritin e Lumnimit të Stefan Sàndor, laik i përkushtuar i Shoqërisë së Shën Françeskut të Sales (26 tetor 1914-8 qershor 1953). Meshën e kryesoi kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, përfaqësues i Papës në kremtim, sot në mikrofonin tonë:

Pyetje: - Hirësi, a mund të na thoni diçka për Shërbëtorin e Zotit, Stefan Sàndor (1914-1953), salezian-ndihmës, lumnuar dje në Budapest?

Përgjigje: - I Lumi Stefan Sàndor lindi në Szolnok të Hungarisë, më 26 tetor 1914, në gjirin e një familjeje thellësisht të krishterë. Jetoi në vite të vështira për vendin e tij, tronditur nga luftërat dhe shndërrimet politike e shoqërore. Ndoqi me zell të madh jetën e famullisë, drejtuar nga Vëllezërit e Vegjël Françeskanë, ku ndihmonte meshë.
Duke vërejtur se kishte shumë dëshirë për jetë rregulltare, françeskanët e këshilluan të hynte në Kongregatën e Salezianëve.

Pyetje: - Si e vlerësoi i Lumi përvojën saleziane?

Përgjigje: - I lumi ynë mahnitej nga figura e Dom Boskos. E vlerësonte shumë metodën pedagogjike e baritore, që synon “shëlbimin e gjithanshëm’ të të rinjve. Prandaj e la punën si tornitor e shkrirës bakri, që kishte nisur, e, pas miratimit nga ana e prindërve, hyri si rishtar në Institut. Shumë shpejt eprorët u prekën thellë nga sjellja e djaloshit, serioz e gazmor njëherësh, dhe më pas e pranuan në noviciat.

Pyetje: - Pastaj në Hungari ia behu persekutimi fetar. Ç’qëndrim mbajti i Lumi në vorbullën e tmerrshme, që përfshiu vendet satelite të Bashkimit Sovjetik, ku u derdh shumë gjak martirësh, ende të pashpallur?

Përgjigje: - Dihet se komunizmi stalinist, regjim jo më pak kriminal se nazizmi, e mori fuqinë në vendin e tij më 1949 e, jo vetëm që i konfiskoi të gjitha pasuritë e Kishës, por nisi edhe format më të egra të persekutimit kundër rregulltarëve, që u detyruan të jetojnë fshehurazi e të bëjnë gjithfarë punësh, për të siguruar jetesën. Edhe Stefanit iu desh të largohej nga shtypshkronja. Iku nga sytë këmbët e jetoi i fshehur për disa muaj. Megjithëse pati mundësi të largohej nga Hungaria, vendosi të rrinte në atdhe. Gjeti punë në një fabrikë e vijoi me guxim të pashoq, apostullimin ndërmjet të rinjve, duke e ditur mirë se kjo ishte veprimtari e ndaluar rreptësisht.

Pyetje: - Pastaj e mbytën... Si?

Përgjigje: - Më 28 korrik policia politike e kapi në fabrikën ku punonte dhe e flaku në burg. Këtu nisën torturat. Pas një procesi hipokrit, për sy e faqe, u dënua për komplot kundër shtetit e u var në litar më 8 qershor 1953. Pas shembjes së regjimit komunist, duke u mbështetur mbi ligjin XXVI të vitit 1990, dënimi i tij me vdekje u anulua e, në nëntor 1999, iu dha një titull i lartë nga Qeveria hungareze.

Pyetje: - Ç’u thotë njerëzve të kohës sonë ky Martir i ri?
Përgjigje: - Martiri i Lum Stefan Sàndor na le të gjithëve e posaçërisht, vëllezërve të tij salezianë, një mesazh të trefishtë: së pari, na kujton besnikërinë ndaj thirrjes së Zotit, deri në fund të fundit; së dyti, impenjimin në misionin edukativ të të rinjve, që duhet t’i formojmë për të jetuar jetën e mirë të Ungjillit; e, së fundi, përpjekjen për të qenë dëshmitarë të besueshëm të Jezusit, të Fjalës së shpresës e të dashurisë. Në përfundim, Martiri i Lum Stefan Sàndor na dorëzon profecinë e rëndësisë së edukimit të të rinjve për t’iu kundërvënë kulturës, që shpesh lufton kundër vlerave të jetës, të dashurisë së krishterë, të dëshirës për punë, të faljes e vëllazërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.