2013-10-19 13:59:26

Papa pret “Patrons of Arts”: Kisha i drejtohet artit për të shprehur bukurinë e fesë


Veprat e Muzeve të Vatikanit dëshmojnë aspiratat shpirtërore të njerëzimit. Kështu pohoi, sot paradite, Papa Françesku, në audiencën me “Patrons of Arts”, një bashkësi ndërkombëtare bamirësish, të cilët, që prej 30 vjetësh, mbështesin ekonomikisht projektet për ruajtjen dhe restaurimin e kryeveprave, të ekspozuara në Muzetë e Vatikanit. Kisha, nënvizoi Ati i Shenjtë, i është drejtuar gjithnjë artit për të shprehur bukurinë e fesë:
“Në çdo epokë, Kisha i është drejtuar artit për të shprehur bukurinë e fesë e për të shpallur mesazhin ungjillor të madhështisë së krijimit të Zotit, të dinjitetit të njeriut, krijuar në shembëlltyrë e në përngjasim me Të, e të pushtetit të vdekjes mundur nga ringjallja e Krishtit, që sjell shëlbim e rilindje në një botë, karkaterizuar nga tragjedia e mëkatit dhe e vdekjes”.
Muzetë e Vatikanit, me historinë e tyre të pasur, vazhdoi Papa Françesku, u japin mundësinë shtegtarëve të shumtë, që vijnë në Romë, për t’u takuar me këtë mesazh, përmes veprave të artit, që dëshmojnë misteret sublime të fesë së krishterë dhe kërkimin e asaj bukurie të shkallës sipërore, që e ka zanafillën e plotësimin e vet vetëm tek Zoti. Mbështeja juaj për ruajtjen e këtyre veprave, u tha Ati i Shenjtë anëtarëve të “Patrons of Arts”, qoftë shenjë e pjesëmarrjes suaj në jetën dhe misionin e Kishës:
“Qoftë edhe shprehje e shpresës sonë në ardhjen e asaj Mbretërie, bukuria, harmonia e paqja e së cilës priten nga çdo zemër njerëzore e janë frymëzim për aspiratat më të larta artistike të racës njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.