10 vjet më parë, më 19 tetor 2003, gjatë një kremtimi madhështor kryesuar nga Papa
Gjon Pali II në Bazilikën e Shën Pjetrit, shpallej e Lume Nëna jonë Terezë, e para
grua shqiptare e ngritur në nderimin më të lartë, atë të elterit, duke e lartuar kështu
edhe Shqipërinë, bijë e së cilës ishte dhe popullin shqiptar, gjakun e të cilit kishte
ndër rrema. Po e kujtojmë me këto radhë, shkëputur nga shkrimi më i freskët, që
i kushtohet, botuar në të përjavshmen “Miracoli” – “Mrekulli”, numri i parë i së
cilës doli të dielën e kaluar, me rastin e vizitës së Zojës së Fatimës tek Papa e
iu shpërnda falas qindra mijëra besimtarëve nga të katër anët e botës, mbledhur rreth
Zojës së Mrekullueshme, si atë ditë të 19 nëntorit, kur mbarë bota i kishte sytë tek
portreti i Nënë Terezës, gjithnjë me buzë në gaz, në fasadën e Bazilikës së Popujve,
simbol i paqes, i përkushtimit, i vëllazërisë. Asaj, si samaritanit të mirë, iu besua
misioni të shpallë dashurinë e pafundme të Jezusit për njerëzit, për çdo njeri. Shpirt
i mbushur me dritën e Krishtit, e përflakur nga dashuria për Të, kishte një dëshirë
të vetme: “Të shuante etjen e dashurisë së Zotit për shpirtrat”.
Nënë
Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup në një familje thellësisht fetare, ku mbretëronte
dashuria. Më e vogla ndër fëmijët e Kolë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Ganxhe
Anjeze. E ëma, e mbetur vetëm, me tre fëmijë në ngarkim pas vdekjes së t' et, kishte
një karakter të ëmbël, por të vendosur, që ndikoi shumë mbi personalitetin dhe orientimin
e ardhshëm të Nënë Terezës. Më 1928, në moshën 18 vjeçare, me dëshirën për t’u
bërë misionare, e la shtëpinë për të shkuar në Institutin e Zojës së Bekuar, i njohur
si Motrat e Loretos, në Irlandë. Mori emrin motër Mari Tereza. Në dhjetor u nis për
në Indi. Arriti në Kalkutë më 6 janar 1929. Motër Tereza mori kushtet e para rregulltare
në maj 1931 dhe kushtet e përjetshme më 24 maj 1937. U bë Vasha e Jezusit për amshim.
Që nga ajo kohë ajo u quajt Nënë Tereza. Pasi mori kushtet e para, dha mësim në Shkollën
e Shën Marisë në Entali të Kalkutës dhe, më 1944 u bë drejtoreshë e shkollës. Ishte
e njohur për bamirësi, altruizëm, guxim, aftësi për punë të rënda, talent natyror
për organizim, dhe besnikëri e gëzim për jetën e shuguruar. Më 10 shtator 1946,
gjatë një udhëtimi me tren nga Kalkuta në Darjeling për ushtrimet shpirtërore të përvitshme,
Nënë Tereza mori nga Zoti atë që është quajtur “frymëzimi” “thirrja brenda thirrjes”:
“Kam etje! Kam etje!”- dëgjonte zërin e Krishtit që i fliste. Që nga ajo ditë, etja
e Jezusit për dashuri dhe shpirtra zuri rrënjë në zemrën e saj, dhe dëshira për ta
shuar këtë etje për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër, u
bë forca tërheqëse e jetës së saj. Pasi mori lejet e nevojshme, më 17 gusht 1948
ajo la kuvendin e Loretos, veshi sarin e grave të varfëra indiane dhe hyri në botën
e të varfërve. Me të u bashkuan nxënëset e dikurshme të shkollës së Shën Marisë dhe
më 7 tetor, Kongregata e re e Misionareve të Bamirësisë u vendos zyrtarisht në Kryedioqezën
e Kalkutës. Brenda një kohe të shkurtër, Nënë Tereza hapi shkollat e para të mjerimit
dhe qendrat shëndetësore në shumë vende të qytetit. Dekreti i Papës Pali VI më
1 shkurt 1965 e inkurajoi Nënë Terezën ta zgjerojë misionin për të varfërit e çdo
kontinenti, ndërsa thirrjet shtoheshin vazhdimisht. Me qëllim që t’u përgjigjej
më mirë nevojave fizike dhe shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza themeloi Vëllezërit
Misionarë të Bamirësisë, më 1963; më 1976 degën kundruese të motrave, më 1979 Vëllezërit
Kundrues dhe më 1984 Etërit Misionarë të Bamirësisë. Duke ndarë me të përshpirtërinë,
shumë laikë u bënë Bashkëpunëtorë për të Sëmurët dhe të Vuajturit, Misionarë laikë
të Bamirësisë. Më 1981 ajo filloi Lëvizjen Corpus Christi për Meshtarët. Në vitin
1997, Motrat e Nënë Terezës numëronin rreth 4 mijë anëtare të shpërndara në 610 degë
në 123 vende të botës. Në mars 1997 ajo bekoi pasardhësen e saj të sapozgjedhur si
Eprore të Përgjithshme të Misionareve të Bamirësisë. Më 5 shtator, jeta tokësore
e Nënë Terezës mori fund dhe ajo “shkoi në shtëpinë e Zotit”. Varri i saj në Shtëpinë
Mëmë shpejt u bë vend shtegtimi dhe lutjeje për njerëz nga të gjitha fetë, për të
varfër e të pasur. Në përgjigje të kërkesave të panumërta si nga hierarkia, ashtu
edhe nga besimtarët e mbarë botës, Kongregata për Çështjet e Shenjtorërve lejoi fillimin
e Çështjes së Lumnimit dhe të Kanonizimit të Nënë Terezës në Kryedioqezën e Kalkutës,
në më pak se dy vjet pas vdekjes. Procesi dioqezan vazhdoi nga 26 qershori 1999 deri
më 15 gusht 2001. Dekreti për njohjen e virtyteve heroike të Nënë Terezës u miratua
nga Papa Gjon Pali II më 20 dhjetor 2002. Bijat e bijtë e saj shpirtëror vijojnë
punën në jetimore, strehë për të gërbulurit, për pleqtë, vajzat-nëna, njerëzit në
fill të mortjes. 5000 shtëpi të Kongregatës, themeluar nga e Lumja shqiptare, hapin
portat ditë-natë për çdo njeri, që troket në ta, në sa dega mashkullore kryen të njëjtin
shërbim në 600 shtëpi, përhapur në të katër anët e botës. Pa folur, këtu, për mijëra
vullnetarë e laikë të përkushtuar, që çojnë përpara veprën e kësaj Gruaje, me ndërmjetësimin
e së cilës u bënë shumë mrekulli, duke nisur nga shërimi i hinduistes Monika Besra,
që i hapi rrugën e lumnimit. Grua sa e vogël, aq e madhe, ndikoi fuqimisht mbi
fatin e mijëra njerëzve, në të katër anët e botës, duke ecur mbi gjurmët e Jezusit.