“In hoc signo”: një vepër muzikore kremton 1700-vjetorin e Ediktit të Milanos
Në të gjithë botën vazhdon të kremtohet 1700-vjetori i Ediktit të Milanos, por natyrisht,
dokumenti me të cilin perandori Kostandin i jepte fund persekutimit të të krishterëve
në vitin 313, përkujtohet më shumë në tokën ballkanase, e pikërisht në Serbi, ku ai
lindi. Nishi, vendlindja e perandorit, ishte kohët e fundit teatër kremtimesh ekumenike,
organizuar nga Kisha Katolike e nga ajo ortodokse, por edhe në qytete të tjera të
Serbisë, Edikti i tolerancës fetare ka qenë protagonist veprimtarish të shumta. Më
8 tetor, në Beograd, u shfaq për herë të parë vepra muzikore “In hoc Signo”, shkruar
nga regjizori serb Dejan Miladinovic e vënë në muzikë nga mjeshtri drejtues i Kapelës
Papnore Muzikore Lateranense, imzot Marko Frizina. Për këtë vepër, të dëgjojmë vetë
imzot Frizinën, në mikrofonin tonë: Në 15 tabllo përvijohet jeta e Kostandinit,
sidomos rëndësia e tij – si historike, ashtu edhe kulturore – në përcaktimin e krishterimit
si risi, si shpresë për perandorinë e për botën e lashtë. Cilat kanë qenë
vështirësitë në vënien në muzikë të një vepre të tillë, e cila – ndoshta – ju ka kërkuar
një impenjim jo të paktë ekumenik? Opera i ngjan shumë veprave të mëdha lindore,
sllave… Prandaj është vepër monumentale: skena të mëdha korale e dramatike, sepse
edhe historia që trajton është dramatike. Unë vetë kam dashur t’i jap një shije në
përkim me traditën e muzikës liturgjike të Kishës ortodokse, nga njëra anë, pranë
botës ballkanike e ortodokse, nga ana tjetër, me elemente të këngës gregoriane, të
muzikës perëndimore. Më shumë se mbi vështirësitë, do të flisja mbi përpjekjet për
ta gjetur këtë pikë takimi, sidomos në disa skena. Për shembull, ka një skenë të madhe
për Këshillin e Nikesë, ku dëgjohet Besojma e kënduar në greqisht e latinisht, këngë
që mbivendosen. Në fund, i gjithë kori këndon së bashku të dyja këngët, pasi është
çasti kur bashkohen dy shpirtrat e krishterimit të lashtë, zanafillë e fesë sonë. Simboli
kostandinian i rëndësishëm si për katolikët, ashtu edhe për të ortodoksët, është Kryqi… Vërtet,
titulli “In hoc signo” do të thotë “Nën shenjën e Kryqit”. Skena kryesore, që gjendet
në fund të aktit të parë – Beteja e Urës Milvio, vizioni i Kryqit të Kostandinit –
përshkruhet shumë mirë. Ai çast nuk është fillimi i vizionit të Kostandinit, por,
mund të themi, mbërritja; pjesa e parë e veprës përshkruan si arrihet tek pjekuria,
me të cilën Kostandini kupton rolin themelor të të krishterëve në perandori. Jam takuar
me autorin serb, si të ishim dy eksplorues, që kanë parë gjëra të ngjashme e plotësuese;
shkëmbyem mendime, ide, emocione e shprehëm të njëjtën fe: besimin në Kryqin e Krishtit,
në Hirin e Tënzot, në shpresën, në Kishën. Arti mund të jetë vërtet mjet dialogu.