2013-10-17 14:49:34

Papa takohet me Abu Mazen: urgjent, rifillimi i bisedimeve izraelito-palestineze; shqetësim i thellë për Sirinë


Papa Françesku priti sot në audiencë, presidentin e Shtetit të Palestinës, Mahmoud Abbas, i njohur me emrin Abu Mazen. “Gjatë bisedimeve, njofton një komunikatë e Sallës vatikanase të Shtypit , u fol për situatën në Lindjen e Mesme e, në mënyrë të posaçme, për rifillimin e bisedimeve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, me urimin që ky proces të japë frytet e dëshiruara për gjetjen e rrugëzgjidhjes së drejtë e të qëndrueshme të një konflikti, fundi i të cilit është gjithnjë më i nevojshëm e më urgjent”. “Shqetësim të thellë, vijon komunikata, shkakton akoma situata në Siri, ku urohet që logjikës së dhunës t’ia zërë sa më shpejt vendin logjika e dialogut dhe e pajtimit”.
Përsa u përket marrëdhënieve dypalëshe, nënvizon komunikata e Sallës vatikanase të Shtypit, u shpreh kënaqësia e thellë për progresin e arritur në hartimin e Marrëveshjes Globale mbi disa aspekte themelore të jetës dhe veprimtarisë së Kishës katolike në Palestinë.Së fundi, u fol edhe për gjendjen e bashkësive të krishtera në Territoret Palestineze e, më në përgjithësi, në Lindjen e Mesme, duke vënë theksin mbi kontributin e madh që japin për të mirën e përbashkët të shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.