2013-10-17 14:48:55

Ati i Shenjtë: “Të krishterët ideologjikë" janë sëmundje e rëndë, e mbyllin portën, që çon tek Jezusi


Nëse një i krishterë bëhet dishepull i ideologjisë, e ka humbur fenë. Këtë nënvizoi sot paradite Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë i ftoi të krishterët të rrinë larg sjelljes së njeriut me çelës në xhep e portë të mbyllur. Ripohoi, prandaj, se kur njeriu nuk lutet, largohet nga feja dhe bie në ideologji e moralizëm.

“Mjerë ju, o mësues të ligjit! Ju e morët çelësin e dijes: vetë nuk hytë e i penguat edhe ata, që deshën të hyjnë!”. Papa Françesku e shtjelloi homelinë, duke ndjekur paralajmërimin e Jezusit, për të cilin fliste Ungjilli i sotëm. Aktualizoi këtë qortim: “Kur ecim rrugës e ndodhemi para një kishe të mbyllur, pohoi, ndjejmë në shpirt diçka të çuditshme, sepse një kishë e mbyllur nuk mund të kuptohet. Nganjëherë, nënvizoi, na japin gjithfarë shpjegimesh, që nuk janë të tilla: janë pretekste, përligjje, por realiteti është se kisha është e mbyllur e njerëzit, që kalojnë para saj, nuk mund të hyjnë. Por ka edhe më keq: “Zoti, që është brenda, nuk mund të dalë”. Sot, vijoi Papa, Jezusi na flet pikërisht për këtë figurë të mbylljes, simbol i të krishterëve, që e kanë kyçin në dorë, por nuk e përdorin, nuk e hapin portën. Madje veprojnë edhe më zi, ndalen në prag, zënë portën e nuk i lënë as të tjerët të hyjnë. Mbeten jashtë, ata vetë e të tjerët. Kjo, vërejti Ati i Shenjtë, është pasojë e mungesës së dëshmisë së krishterë; e e keqja arrin kulmin, kur i krishteri, që ka zënë portën, është meshtar, ipeshkëv ose edhe papë. “Por, pyeti natyrshëm Papa Françesku, si është e mundur që i krishteri të sillet kështu, me çelësin në xhep e portën e mbyllur?”:
“Feja, thënë figurativisht, kalon nëpër lambik e bëhet ideologji. E ideologjia nuk e ka forcën e thirrjes. Në ideologji nuk është Jezusi: ngrohtësia e Tij, dashuria, butësia. Ideologjitë janë të serta, gjithnjë. E kur i krishteri bëhet dishepull i ideologjive, do të thotë se e ka humbur fenë: nuk është më dishepull i Jezusit, është dishepull i kësaj sjelljeje, i këtij mendimi, i këtij.... Prandaj Jezusi u thotë atyre: ‘Ju e morët çelësin e dijes’. Njohja e Jezusit shndërrohet në një njohje tjetër, edhe moralistike, sepse ata e mbyllnin portën me shumë rregulla e urdhërime”
Jezusi, vijoi Papa, thotë: “Vaj medet për ju, mësues të ligjit, sepse u ngarkoni njerëzve barrë, që mezi mund të mbarten, nësa ju, as me gisht të dorës nuk i prekni”. Ky është, pra, procesi shpirtëror e mendor, i atij që do ta ketë çelësin në xhep e portën mbyllur:
“Feja bëhet ideologji. E ideologjia të tremb, ideologjia i dëbon njerëzit, i largon. Largon njerëzit nga Kisha e Kishën nga njerëzit. Sëmundje e rëndë, kjo e të krishterëve ideologjikë. Sëmundje, por jo e re, apo jo? Nis që nga koha e Shën Gjonit Apostull i cili, në Letrën e tij të parë, flet pikërisht për këtë lëngatë. Të krishterët humbasin fenë e kapen pas ideologjive. Bëhen të sertë, moralistë, eticistë, por pa kurrfarë mirësie. Atëherë nuk mund të mos pyesim: ‘Po pse arrin deri në këtë pikë besimtari i krishterë? Ç’ndodh në zemrën e këtij të krishteri? Të këtij prifti, të këtij ipeshkvi, të këtij pape, që katandiset kështu?’. Thjesht një gjë: ky i krishterë nuk lutet. E nëse nuk lutesh, ti s’bën tjetër, veçse të mbyllësh portën”.
Çelësi, që hap portën e fesë, vijoi Papa, është pikërisht lutja. E në vijim nënvizoi se kjo ndodh kur i krishteri nuk lutet. Atëherë dëshmia e tij është fodulle. Kush nuk lutet, është mendjemadh, kryelartë, i sigurt në vetvete. Nuk është i përvuajtur. Kërkon të ngjitet lart e më lart. Ndërsa, pohoi me forcë Papa, kur i krishteri lutet, nuk largohet nga feja, flet me vetë Jezusin. Them, saktësoi Ati i Shenjtë, lutet, jo lutje, sepse dhe doktorët e ligjit thoshin shumë lutje, për shihni botë. Kurse Jezusi thotë: “Kur lutesh, shko në dhomën tënde e lutju Atit fshehtësisht, nga zemra, në zemër. Një gjë është të lutesh, vijoi Papa, e tjetër, të thuash lutje:
“Këta nuk luten, e braktisin fenë, e shndërrojnë në ideologji moralistike, rastësore, pa Jezusin. E kur një profet a një i krishterë i mirë i qorton, bëjnë atë, që bënë edhe kundër Jezusit: ‘Kur doli nga tempulli, skribët e farizejtë nisën ta sulmojnë ashpër- këta idelogjikët janë armiqësorë - e t’i bëjnë shumë pyetje, duke i ngritur leqe për ta zënë pisk në ndonjë fjalë, që delte prej gojës së Tij’. Nuk janë transparentë. Fshehin gjithnjë diçka të dyshimtë. Eh, varfanjakët, janë njerëz të njollosur me marrëzinë e madhështisë. T’i lypim Zotit hirin të mos pushojmë kurrë së luturi, për të mos e humubur fenë, të jemi gjithnjë të përvuajtur. E kështu nuk do të bëhemi njerëz të mbyllur, që ia mbyllin udhën Zotit”.









All the contents on this site are copyrighted ©.