2013-10-16 14:28:24

Çmimi qytetar Evropian i jepet motër Eugjenia Bonetit, murgeshës kundër trafikut të njerëzve


Për impenjimin e saj në luftën kundër trafikut të njerëzve, sidomos të grave e vajzave, murgesha italiane Eugjenia Boneti merr këtë vit Çmimin qytetar Evropian, i cili iu dha sot në Bruksel. Kujtojmë se motra është misionare e Zojës së Ngushëlluar e kryetare e shoqërisë “Kurrë më skllave”. Në dritën e zbarkimeve të fundit në Lampeduza të Italisë e të përmasave shqetësuese, që po merr trafiku i njerëzve, intervistuam motër Eugjenian, e cila e përshkruan kështu situatën:RealAudioMP3
Që nga viti 1998 e deri më sot, në Itali, kemi arritur të shpëtojmë mëse 6 mijë gra e vajza. Bashkëpunimi me vendet e tjera evropiane nuk ka qenë gjithmonë i mundur, për shkak të ligjeve, të kundërshtimeve e të riatdhesimit me forcë. Tani, gjërat po ndryshojnë paksa: kongregatat tona në Itali kanë qenë vërtet të parat, që kanë hapur dyert e kuvendeve për t’i pritur gratë e vajzat, viktima të trafikut. Pastaj, jemi përpjekur të kontaktojmë murgeshat e atdheut të tyre. Vendi me të cilin kemi bashkëpunuar më shumë është Nigeria, sepse në Itali ka shumë nigeriane, pas të cilave vijnë vajzat e Evropës Lindore, edhe shqiptaret.
Shoqata “Kurrë më skllave” i ndihmon vajzat të kthehen në shtëpinë e tyre. Si i ndiqni këto riatdhesime?
Me një projekt integrimi në shoqëri e në punë, në bashkëpunim me USMI-n (Bashkimi i Eproreve Italiane) dhe me Karitasin Italian, përmes fondeve të Konferencës Ipeshkvnore. Në nivel ndërkombëtar, kemi një rrjet, që quhet “Talità Kum”, ndërsa në Evropë, kemi krijuar rrjetin “Renate” për të bashkuar forcat e të gjitha murgeshave kundër trafikut të njerëzve e shfrytëzimit të tyre. Ligjet duhet të jenë, por kemi nevojë ta mbrujmë edhe një herë shoqërinë me kulturën e respektit, të dinjitetit, të marrëdhënieve të shëndosha. Puna është e madhe. I kemi kërkuar Papës një ditë në vit, për të reflektuar mbi këto probleme. Atit të Shenjtë i bëri shumë përshtypje e na pyeti: ‘Ju, ç’sugjeroni?’ I thamë: “Ditën e shën Bakitës, sepse ajo ishte skllave”.







All the contents on this site are copyrighted ©.