2013-10-15 11:48:51

Rama: kemi trashëguar një borxh publik që është një shkëmb në mes të rrugës sonë


TIRANE 14 Tetor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se kemi trashëguar një borxh publik të përgjithshëm, por kemi dhe një borxh në formën e huave dhe borxheve ndaj kompanive dhe sistemeve të ndryshme, që është padyshim një shkëmb në mes të rrugës sonë.

"Një borxh që vazhdon rritet, në kuptimin e gjërave që dalin njëra pas tjetrës, për të cilën ne kemi vendosur të dialogojmë një kompani të besueshme auditimi, për të parë situatën ku ndodhemi. Ajo që dihet është një gjë, dhe ajo që nuk dihet ende është një gjë tjetër", tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se jemi duke u afruar në shifrën 600 milionë dollarë që janë borxhe ndaj biznesit, që kanë bllokuar ekonominë dhe gjithë sistemin e kreditimit. Bankat , tha ai, kanë para po nuk japin kredi, se normat e kredive të këqija llogariten 25% dhe kompanitë janë duke u mbytur. "Kemi gjendje të tmerrshme të ekonomisë dhe financave të vendit", u shpreh Kryeministri.
Ata që ikën, vijoi Kryeministri, kanë lënë borxhe nga të mëdhatë si TVSH të parimbursuara, punë publike të papaguara, shërbime të pashlyera, deri te borxhe për darka e dreka me fatura te pronarë restorantesh në Shqipëri. "Gjetëm borxhe nga më të rëndat deri më të turpshmet për një qeveri. Borxhe për fatura telefonike marramendëse. Ne po i nxjerrim të gjitha dhe me ndihmën e auditit ndërkombëtar dhe të pavarur. Qëndrimi im është i prerë: një qeveri borxhlie ndaj biznesi s’ka çfarë i kërkon biznesit. Është një farsë që nuk meriton të quhet qeveri", nënvizoi Rama.
I pyetur se kur do të rimbursohet sipërmarrja, Rama u shpreh se kemi ndërtuar një urë dialogu dhe do jemi në partneritet përmes njohjes së përgjegjësive. Së shpejti, tha ai do të zhvillohet dialogu i parë në një Këshilli Ekonomik Kombëtar, ku sipërmarrja do të jetë me përfaqësues të saj dhe banka me përfaqësues të vetët.








All the contents on this site are copyrighted ©.