2013-10-15 15:52:31

Papa falenderon kardinalin Bertone dhe i jep mirëseradhjen Sekretarit të ri të Shtetit, imzot Parolin


Mirënjohje e besnikëri: këto ishin dy fjalët karakteristike të audiencës së sotme të Papës Françesku me eprorët dhe funksionarët e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, me rastin e daljes në pension të kardinalit Tarçizio Bertone dhe të marrjes së detyrës nga imzot Pietro Parolin, Sekretari i ri, i cili nuk ishte i pranishëm për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale.Vetë Ati i Shenjtë njoftoi për këtë të papritur:
“…do të jetë një mirëseardhje ‘in absentia’ (në mungesë), sepse ai do ta marrë në dorë detyrën disa javë më vonë, për shkak të një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale, së cilës i është dashur t’i nënshtrohet”.
Një pjesë e madhe e fjalës së Papës iu kushtua falenderimeve për kardinalin Tarçizio Bertone, i cili ka kryer deri tani detyrën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit. E iu drejtua edhe në emër të Papës së nderit, Benedikti XVI, duke i kujtuar se karakteristika kryesore e tij ka të bëjë me të qenit salezian, bir i don Boskos. Për çdo salezian, nënvizoi Ati i Shenjtë, dashuria për Kishën shprehet sidomos në dashurinë për Pasardhësin e Shën Pjetrit. Pastaj, Papa Bergolio shtoi:
“E këtu po përmend aspektin e dytë, që dëshiroj të nënvizoj: sjelljen e besnikërisë absolute e pa kushte për Pjetrin, karakteristikë dalluese e mandatit tuaj si Sekretar i Shtetit, si ndaj Benediktit XVI, ashtu edhe ndaj meje këtyre muajve. E kam ndjerë në shumë raste e ju jam thellësisht mirënjohës për këtë”.
Papa Françesku e falenderoi kardinalin Bertone për guximin dhe durimin me të cilat u vuri gjoksin problemeve të shumta, që ndeshi gjatë punës. I kujtoi “ëndrrën e trëndafilit”, që don Bosko u pati treguar të rinjve. Nëse jashtë gardhit shihen vetëm trëndafilat e bukur, sa më thellë të shkosh brenda tij, aq më shumë has në gjembat e mbretit të luleve:
“I dashur kardinal Bertone, në këtë çast, më pëlqen të mendoj se, megjithë gjembat, Zoja Ndihmëtare nuk jua ka munguar ndihmën e nuk do t’jua mungojë në të ardhmen: të jeni i sigurtë eh? Urimi që ju bëjmë ne të gjithë është të vazhdoni t’i gëzoni thesaret e thirrjes suaj meshtarake: praninë e Jezusit Eukristik, ndihmën e Zojës, miqësinë e Papës”.
Më pas, Ati i Shenjtë foli për imzot Pietro Parolin, i cili ka punuar për një kohë të gjatë në Sekretarinë e Shtetit:
“Ai e njeh shumë mirë familjen e Sekretarisë së Shtetit, ka punuar për shumë vjet në të, me pasion dhe kompetencë, me atë aftësi dialogu e më atë njerëzi, që i ka karakteristike. Në një farë kuptimi, kthehet në shtëpi”.
Duke i falenderuar të gjithë punonjësit e Sekretarisë së Shtetit, që punojnë shpesh pa fjalë e pa u dukur, së fundi, Papa i ftoi të gjithë të luten për të e për misionin e tij në krye të Kishës Katolike.








All the contents on this site are copyrighted ©.