Këshilli Papnor i Kulturës paraqiti sot nismën “100 metra garë dhe fe”. Është fjala
për një veprimtari, që do të zhvillohet të dielën, më 20 tetor, në Sheshin e Shën
Pjetrit në Vatikan, me rastin e mbylljes së Vitit të Fesë, për të nënvizuar rëndësinë
e sportit në promovimin e vlerave edukative, kulturore e shpirtërore. Në një pistë
prej 100 metrash, do të alternohen të rinj nga famulli e shkolla të ndryshme të Romës,
atletë dhe personazhe të botës së kulturës e të spektaklit, në një stafetë, ku “dëshmitari”
kryesor është Feja, drejt së cilës synohet edhe përmes rrugës së sportit. Imazhet
televizive të kësaj nisme do të realizohen nga Qendra Televizive e Vatikanit dhe do
të vihen në dispozicion në satelit për të gjitha televizionet e interesuara. Veprimtaria
do të fillojë në orën 9.30 dhe do të përfundojë me lutjen e Engjëllit të Tënzot, së
bashku me Papën Françesku, në mesditë.